Zjarret në Amazonë, pas refuzimit të ndihmës publikohen pamjet satelitore

schedule15:00 - 27 Gusht, 2019

schedule 15:00 - 27 Gusht, 2019

Pamjet satelitore tregojnë një situatë kritike në Amazonë me tymin që ka mbuluar një hapësirë të madhe të pyjeve. Ndërkohë qeveria braziliane ka përsëritur dhe njëherë refuzimin ndaj ndihmës së propozuar nga G7.

Qeveria braziliane theksoi dhe njëherë se do të refuzojë ofertën e G7-ës prej 20 milion dollarësh në kuadër të ndihmës për situatën e zjarreve në Amazonë. Për momentin nuk është thënë ende një arsye e qartë për sa i përket refuzimit, përveç deklaratës së presidentit Bolsonaro sipas të cilit oferta në fjalë është një formë kolonizimi.

Por ministri brazilian i ambientit nga ana e tij disa ditë më parë deklaroi se një ndihmë e tillë ishte e mirëpritur. Presidenti brazilian Bolsonaro vë në dyshim të dhënat ndërkombëtare për situatën në Amazonë.

Oniks Lorenconi, kreu i stafit të presidentit brazilian Bolsonaro zyrtarizoi refuzimin e ndihmave duke thënë se falenderonte G7-ën për ofertën, por kjo shumë do të ishte më e përshtatshme po të përdorej për pyllëzimin e Europës.

Lorenconi kritikoi në mënyrë të ashpër presidentin francez Emmanuel Macron për zjarrin që në muajin prill shkatërroi Notre Dame. Ai u shpreh se Macron nuk mund të shmangë një zjarr të parashikueshëm në një kishë që është pjesë e trashëgimisë botërore, dhe nuk mund t’i japë leksione Brazilit.

Ndërkohë pamjet satelitore tregojnë një situatë kritike në Amazonë, me tymin që ka mbuluar një sipërfaqe të madhe./ABC News Albania 24/7