Një zjarr i madh ka përfshirë zonën e Manatisë dhe Barbullojes në Lezhë, ku flakët janë përhapur me shpejtësi në ferra dhe shkurre, duke përfshirë një perimetër të gjerë.
Situata paraqitet shqetësuese, pasi nga përhapja e flakëve janë vënë në rrezik edhe banesat pranë zonës së zjarrit.
Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve. Puna e tyre po vështirësohet nga era e fortë, e cila favorizon përhapjen e zjarrit.
Ndërhyrja vijon për izolimin e vatrave dhe shmangien e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.


