Real Madrid po kalon një moment shumë të mirë. Kampionët në fuqi të Spanjës, fituan 2-0 në shtëpi përballë Eibar, sfidë rreth së cilës foli për mediat Zinedine Zidane, i cili vlerëson ndeshjen e ekipit të tij dhe mendon për dy duelet e radhës: ndaj Liverpool në Champions dhe më pas El Clasico ndaj Barcelonës.
“Paraqitje e bukur e ekipit, të gjithë lojtarët meritojnë një bravo të madhe. Sot vendosëm të ndryshonim diçka në lojën tonë dhe skuadra nuk vuajti aspak. Në pjesën e parë zgjodhëm të luanim më shumë në gjysmëfushën tonë, u mbrojtëm shumë mirë.
Në pjesën e dytë krijuam disa raste të rrezikshme për gol. E pranoj, kaluam rreth 20 minuta të vështira deri në momentin që mbyllëm ndeshjen me golin e Benzema. Tani është momenti të rikuperojmë energjitë e shpenzuara.
Na pret një javë me ndeshje të rëndësishme. Rikthehet Champions League, më pas është ndeshja e kampionatit… (El Clasico kundër Barcelonës). Do të zbavitemi shumë. Kemi kaluar momente të vështira këtë sezon, por tani ndihemi mirë.
Le ta shfrytëzojmë në maksimum gjendjen e mirë që po kalojmë. E ardhmja? Unë vazhdoj të zbavitem çdo ditë. Nuk mendoj për të kaluarën apo të ardhmen, fokusohem vetëm tek e tashmja, shijoj momentin“, përfundoi trajneri francez. /abcnews.al