Zidane mban zi për vdekjen e vëllait

schedule17:14 - 14 Korrik, 2019

schedule 17:14 - 14 Korrik, 2019

Zinedine Zidane mban zi për vdekjen e vëllait 54-vjeçar. Reali i ka dhënë leje pa limit trajnerit të tij, por francezi ka premtuar se do të kthehet pas një jave.

Arsyeja kishte qenë e fortë që u largua nga grumbullimi i madrilenëve në Kanada. Zinedine Zidane, trajneri i Realit, në krah të së shoqes, u kthye në Europë ku mori pjesë në ceremoninë e vdekjes së vëllait të tij, Faridit, që u shua në moshën 54-vjeçare.

I diagnostikuar me kancer, ai nuk mundi të mbijetonte, ndërsa përpara seancës stërvitore në Montreal, skuadra “merenges” mbajti një minutë heshtje në nderim të trajnerit të saj, dhe vëllait të tij.

Zidane mori leje një ditë më parë, dhe po ashtu edhe djali i tij, Luka Zidane u lejua nga klubi i tij i ri, Racing Santander, pasi ata morën mesazhin se Faridi ishte në gjendje kritike.

Burime brenda Madridit tregojnë se Zidane ka leje të mungojë aq sa të dëshirojë, sepse klubi ka ndërmend ta respektojë deri në fund, por vetë trajneri ka deklaruar se do të kthehet për një javë.

Ndoshta, edhe familja e tij, me origjinë nga Algjeria, mund të ketë traditën e “të shtatave”, si në Shqipëri, për të nderuar të vdekurin. Njeriu i stolit është tepër i rëndësishëm për madrilenët, edhe gjatë fazës përgatitore, pasi tani hidhen bazat për një sezon në kërkim të trofeve.

Reali dëshiron të bëjë të harrohet edicioni i shkuar, kur mbeti pa asnjë titull, diçka që i ndodh rrallë, ndërsa do të synojë dy arritjet e mëdha, La Ligën në Spanjë dhe Ligën e Kampionëve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!