U largua si kampion i madh.
Zinedin Zidan do të kthehet sërish si një legjendë, por tashmë jo në fushë, veçse në stol.
Lajmet nga Parisi janë që Federata Franceze e Futbollit ka marrë vendim që të jetë ai trajneri i ri i kombëtares.
Zizu do të zëvendësojë zyrtarisht Didie Deshampin menjëherë pas Kupës së Botës, që do të mbahet në verë të këtij viti.
Zidan shkëlqeu si futbollist me fanelën e “gjelave”, duke qenë ylli kryesor në epokën më të madhe të bluve.
Ai fitoi si protagonist Botërorin e vitit 1998, duke shënuar dy gola ndaj Brazilit në finalen e luajtur pikërisht në “Stadë dë Frans” të Parisit.
Po ashtu, ishte protagonist i madh në fitoren e Kampionatit Europian në 2000 përballë Italisë në Roterdam.
Si trajner, Zizu nuk ka qenë një njeri i karrierës, pasi epoka e tij e vetme ishte në stolin e Realit, fillimisht në 2016-2018 dhe pastaj në 2019-2021.
Legjenda e Francës do të mbahet mend sepse fitoi tri Champions radhazi, në 2016, 2017 e 2018, me një Real të mbushur me yje si Ronaldo, Ramos, Benzema, Modriç apo Kros, pa i përmendur të gjithë.
Kishte kohë që flitej se do të ishte Zidan trajneri i “gjelave” pas Deshampit, ndërsa dëshira e tij e vetme ishte të drejtonte kombëtaren e vendit të tij.


