Real Madrid mori fitoren e parë në Champions League kundër Interit. Një triumf me shumë vlera, por edhe i vuajtur. Trajneri Zinedine Zidane i gëzohet tre pikëve dhe nga ana tjetër e pranon se situata në grup nuk është më e mira, duke patur parasysh që ndeshjen e radhës e luajnë në Milano sërish ndaj zikaltërve.
“Fituam një ndeshje të vështirë, kundër një Interi që shënoi dy gola në portën tonë. Ishte një ndeshje e nivelit të Champions League, e fortë, dhe në fund shënuam golin e tretë që vlen tre pikë”, tha fillimisht Zidane.
Më pas, në deklaratën e dhënë për Sky Sport Italia, ai shtoi: “Ishte një finale për ne dhe për ata gjithashtu, kështu që jam i lumtur me rezultatin dhe marrjen e tre pikëve. Ishte shumë e rëndësishme t’i merrnim ato”.
Reali renditet në vendin e dytë, pasi dje Borussia M’Gladbah triumfoi në Ukrainë kundër Shakhtar Donetsk. “Pavarësisht fitores, ende është shumë e vështirë situata në këtë grup. Duhet të shkojmë në Itali dhe do të zhvillojnë një tjetër betejë të vërtetë atje.
Gjithsesi ishte e rëndësishme të merrnim këto tre pikë si fillim. Jam i lumtur për lojtarët e mi, të cilët u përpoqën shumë kundër një ekipi të mirë si Interi”, përfundoi Zinedinë Zidane, ndërkohë që deri në fund do të luftohet për dy vendet e para në grup, pasi diferenca mes skuadrave është maksimalisht tre pikë. /abcnews.al