Ziadin Sela i bashkohet Ali Ahmetit/ “Aleanca për Shqiptarët” bëhet pjesë e “Frontit Europian”

schedule23:20 - 28 Mars, 2024

schedule 23:20 - 28 Mars, 2024

Ziadin Sela kreu i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut i është bashkuar Frontit Europian të Ali Ahmetit. Sela ka pranuar ofertën e liderit të BDI për të qenë në koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme në muajin maj.

Pjesë e aleancës “fronti Europian” të Ali Ahmetit janë bërë edhe subjekte te tjera politike të komuniteteve më të vogla në Maqedoninë e Veriut.

“Aleanca për Shqiptarët” që drejtohet nga Ziadin Sela ka vendosur zyrtarisht t’i bashkohet koalicionit zgjedhor të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Anëtarët e Kuvendit Qendror të ASh-së vendosën më 115 vota pro dhe 1 kundër ta pranojnë propozimin e Ali Ahmeti për të dalë së bashku në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe ato parlamentare të 8 majit.

“Kuvendi Qendror i tha po ofertës për t’u bërë pjesë e ‘Frontit Evropian’, në mënyrë që sa më shpejtë dhe të sigurt, Maqedoninë ta bëjë pjesë të BE-së”, deklaroi Sela pas vendimit.

Edhe pse nuk dihen ende detajet rreth marrëveshjes, raportohet se partia e Ziadin Selës do të ketë pesë kandidatë për deputetë.

Koalicioni i “Fronti Evropian”, i drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, është i përbërë nga Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja “Populli”, Partia Demokratike Evropiane, si dhe një parti dhe një lëvizje turke dhe një parti të komunitetit rom. Kjo është hera e parë që një parti shqiptare arrin të bashkojë subjekte politike të komuniteteve të tjera më të vogla në Maqedoninë e Veriut.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!