Pronat e reja që do të zhvillohen në Tiranë do t’i japin bashkisë 3% të sipërfaqes së ndërtimit të kryer për ta përdorur për banesa sociale. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin në mbledhjen e zhvilluar këtë të premte. Në këtë mbledhje gjithashtu u miratua dëmshpërblimi për familjet e prekura nga tërmeti i pak javëve më parë, dhe përmbytjet pas tij. Ndërkohë kryebashkiaku Erion Veliaj tha se shumë shpejt Tirana do të ketë Teatrin e Ri Kombëtar.
“Të mos ketë asnjeri iluzione, teatri i ri do bëhet! Atyre që po lodhen tek teatri, u them: Ruajini energjitë se do i bëjmë gjërat sipas procedurave; donit garë, garë bëmë! Ndërtimi i teatrit të ri do ndodhë në një ditë me diell”-u shpreh kryetari i bashkisë. /ABC News Albania 24/7