Zhvillimet në Veri, Osmani flet me sekretarin e NATO-s

schedule09:58 - 22 Shtator, 2021

schedule 09:58 - 22 Shtator, 2021

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë takuar sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stolenberg. Në njoftimin e Presidencës, bëhet e ditur se Osmani ka deklaruar se synim themelor i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO.

 “Presidentja Osmani theksoi se synim themelor i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO. Anëtarësimi është i rëndësishëm për ta siguruar paqen në rajon, por edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta. Gjatë takimit me të, presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit me NATO-n, i cili nënkupton përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Qëllimi ynë është të bëhemi pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë, duke kontribuar për paqen”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se Presidentja Osmani ka përmendur edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të cilën ka deklaruar se është e përgatitur me standardet e NATO-s dhe do të ia mundësojë Kosovës të bëhet forcë aktive në kuadrin e sigurisë rajonale dhe globale.

“Ne jemi krenarë që ushtarët tanë po marrin pjesë së bashku me ushtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së në një mision të përbashkët ushtarak në Kuvajt. Ky mision, i pari i këtij lloji për Kosovën, është dëshmi e gatishmërisë sonë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale” thuhet të ketë deklaruar Osmani.

Presidenca ka bërë të ditur se Osmani e ka informuar sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, duke përmendur edhe marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes.

“Presidentja e informoi sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë. Ajo theksoi se Republika e Kosovës i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe i dënoi kërcënimet dhe veprimet e Serbisë dhe të strukturave ilegale të saj në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sekretari Stoltenberg e ka falënderuar Kosovën për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë.

“Sekretari i NATO–s, Jens Stoltenberg, e falënderoi Kosovën për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë bashkëpunëtorë të NATO-s dhe e vlerësoi veprimin e saj si shembull të bashkëpunimit dhe të koordinimit me aleatët”, thuhet në njoftim. /abcnews.al/