“Zhvatja”, gazetari italian: Kemi të tjera materiale

schedule20:51 - 4 Shtator, 2019

schedule 20:51 - 4 Shtator, 2019

Duke folur për herë të parë për rastin “Zhvatja”, gazetari italian që ka publikuar përgjimet ka deklaruar se i ka siguruar ato nga burime brenda institucioneve maqedonase. Reporteri Laris Gajser ka bërë të ditur se disponon materiale të tjera lidhur me çështjen që kompromenton qeverinë Zaev, por nuk i ka publikuar ato për të mbrojtur burimin.

Isha kundër publikimit të këtyre informacioneve, derisa u binda se materiali i njëjtë është në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, ka thënë gazetari Laris Gajser i cili ka marrë pjesë në Forumin Strategjik të BLED-it, duke shtuar se xhirimet e bisedave kompromituese i ka marrë falë një rrjeti në Maqedoninë e Veriut, për të cilin ka thënë se gjendet në administratë. Ai ka bërë të ditur se nuk dëshiron ta zbulojë burimin. Duke potencuar se afera “Zhvatja” që është në dëm të qeverisë së tanishme të kryesuar nga Zoran Zaevi është shumë e ngjashme me aferën e përgjimeve që rrënoi ish-pushtetin e Kryeministrit Gruevski, Gajsër thotë se dallimi është shumë i rëndësishëm.

Laris Gajser, gazetar i “La Verita”: Dallimi është se ne i publikojmë dëshmitë që i kemi marrë nga brenda, nga sistemi maqedonas, nga njerëz që janë pjesë e atij sistemi, derisa në kohën e Gruevskit bëhej fjalë për rast ndërkombëtar.

Gajser gjithashtu ka deklaruar se posedon shumë materiale që ndërlidhen me rastin “Zhvatja”, por se për momentin nuk mund t’i publikojë, siç thotë, për shkak të frikës për sigurinë e burimit të tij.

Laris Gajser, gazetar i “La Verita”: Publikimi i materialeve tregon se si sistemi gjyqësor është ngulfatur në korrupsion në Maqedoni dhe me siguri se do të rrezikojnë jetën e dikujt. Materiali që deri më tani është publikuar mjafton të vazhdojë hetimi. Nëse nuk mjafton, ne kemi shumë materiale për të publikuar.

Pyetjes rreth motiveve për publikimin e materialit, Gajser është përgjigjur se ka dashur të tregojë se sundimi i së drejtës dhe demokracisë nuk funksionojnë në Maqedoni dhe se kjo është pasojë e pushtetit aktual. Ai këtë e ka ilustruar me rastin e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë Dragi Rashkovski dhe manipulimet me një tender ndërkombëtar.

Por, nga ana tjetër, nga LSDM-ja pretendojnë se gazetari Gajser ka lidhje me opozitaren VMRO-DPMNE. Socialdemokratët disa herë kanë kërkuar përgjigje nga opozita nëse lideri i tyre partiak Mickoski është takuar me gazetarin Laris Gajser para shfaqjes së kësaj afere. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga opozitarja VMRO-DPMNE./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!