Sondazh

Kush po e provokon tensionin në Shkup:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Zhvarroset prifti shqiptar i 40 i mrekullive / Misteri i fuqisë së pazakontë shëruese të At Nikolla Kolajt

schedule13:13 - 22 Maj, 2026

schedule 13:13 - 22 Maj, 2026

Një histori e rrallë, e mbushur me besim, mister dhe dëshmi që sfidojnë kohën, ka rikthyer vëmendjen te figura e fratit françeskan At Nikolla Kolaj, një emër që për shumë besimtarë në veri të Shqipërisë konsiderohet simbol i shpresës dhe mrekullive. Pas afro 70 vitesh nga vdekja e tij, varri i priftit u hap, duke ngjallur emocione të forta dhe interes të madh mes banorëve dhe besimtarëve.

I njohur nga shumë njerëz si “Padre Pio i Shqipërisë”, At Nikolla Kolaj ka mbetur në kujtesën kolektive si prifti që, sipas dëshmive, bekonte të sëmurët, ndihmonte familjet dhe konsiderohej si një ndërmjetësues i fuqishëm i lutjeve. Tregimet për të nuk kanë pushuar as pas vdekjes së tij.

Zhvarrimi i eshtrave u krye mes frikës dhe dyshimeve se gjatë regjimit komunist ato mund të ishin zhdukur apo dëmtuar, me qëllim ndalimin e pelegrinazheve të besimtarëve në vendin ku ai prehej. Por surpriza erdhi kur, sipas dëshmive të klerikëve dhe besimtarëve, eshtrat u gjetën në vendin ku ruhej kujtesa popullore.



Gjatë hapjes së varrit, fillimisht u hasën eshtra të çrregullta, por vetëm pasi gërmimi arriti rreth dy metra thellësi, u zbulua kafka dhe më pas një skelet i konsideruar i paprekur. Pranë tij u gjetën edhe objekte që besohet se i përkisnin fratit: një trupore e vogël e Shna Ndout, unaza ku mbahej rozarja dhe disa kokrra të saj – elementë që për besimtarët përforcojnë bindjen se bëhet fjalë pikërisht për At Nikollën.

Por ajo që e bën figurën e tij edhe më të pazakontë janë rrëfimet për mrekullitë. Dëshmitarë të shumtë tregojnë se ai bekonte të sëmurë, sidomos persona me epilepsi, ndërsa disa besonin se përmes lutjeve të tij njerëzit çliroheshin nga ndikime të errëta shpirtërore. Janë përmendur raste të qarta shërimesh, mes tyre edhe një burrë mysliman, sot rreth 90 vjeç, i cili thuhet se përjetoi një ndryshim të jashtëzakonshëm pas takimit me fratin.

Një tjetër histori prekëse është ajo e një nëne, djali i së cilës nuk fliste. Gruaja lutej çdo ditë pranë varrit të At Nikollës dhe, sipas dëshmisë së saj, pas një periudhe të shkurtër djali nisi të fliste.
Banorët e zonës kujtojnë edhe një thënie të fratit, e cila sot tingëllon profetike: “Dhjetë vite pasi të vdes, ma hapni varrin dhe atë që do të gjeni, njoftoni ipeshkvin e Shkodrës.”

Ndërkohë, eshtrat e At Nikolla Kolajt do të qëndrojnë përkohësisht në kishën e Dajçit të Bregut të Bunës, ku besimtarët do të kenë mundësi të luten pranë tyre. Për shumë njerëz, kjo nuk është thjesht histori e një prifti, por rikthimi i një figure që ata besojnë se vazhdon të sjellë shpresë edhe përtej jetës. Mrekulli apo forcë e besimit? Misteri i At Nikolla Kolajt mbetet ende i hapur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!