Dje doli vendimi i Apelit për ndeshjen Juventus-Napoli, e cila nuk u zhvillua për shkak se Hysaj e Rrahmani me shokë nuk u paraqitën në fushë me justifikimin se nuk i lejonin autoritetet shëndetësore.
Edhe kjo gjykatë i dha tre pikët Juventusit dhe konfirmoi dënimin më një pikë në renditje për Napolin. Pas këtij vendimi vetë klubi reagoi dhe u shpreh se do e çojë çështjen në Kolegjin e Garantimit të Sportit (CONI).
Sot në lidhje me këtë çështje ka folur edhe avokati i klubit, Mattia Grassani. Ai shpreh gjithë zhgënjimin e Napolit për këtë vendim dhe tregon se kishin shumë besim se do e fitonin betejën ligjore për këtë çështje.
“Është vendim shumë i ashpër, të cilin Napoli absolutisht do e refuzojë. Është dënim që shkakton zhgënjim të madh sepse ne menduam se kishim siguruar të gjitha provat për të bindur gjyqtarët se Napoli nuk refuzoi të luante, por nuk mund ta luante ndeshjen.
Napoli nuk kishte zgjidhje tjetër në ato orë kaotike para ndeshje sepse kishim në duar urdhrat nga dy autoritetet lokale shëndetësore dhe asambleja rajonale e Campagna, që na ndaloi të udhëtonim.
Napoli nuk do të dorëzohet kurrë. Ky vendim na ofendon dhe ne do t’i drejtohemi nivelit të tretë të sistemit të drejtësisë, i cili është gjykata CONI, pastaj do të kemi një përfundim”, u shpreh avokati i të kaltërve. /abcnews.al