Gazetarja Klodiana Lala u shpreh mbrëmjen e sotme se burime nga grupi hetimor i policisë së Elbasanit i kanë thënë se nuk kanë arritur që të sekuestrojnë pamje nga kamerat e sigurisë që mund të kishte filmuar momentin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit pasi kur kanë shkuar kanë konstatuar se nuk kishin server, ndërsa dëshmia e vetme duket se mund të jenë vetëm xhirimet e bëra nga celularët personal.
Pra grupi hetimor nuk ka në dorë pamjet e momentit të shkëmbimit të zjarrit në lagjen “5 Maji” pranë zyrës elektorale të PD-së për të kuptuar kush e nisi i pari.
“Nuk ka kamera sigurie që e kanë filmuar momentin, sepse policia thotë se janë pa server” deklaroi Lala sonte në Opinion.
Por gazetari Artan Hoxha, referuar kamerave të bizneseve përballë vendit të ngjarjes në Elbasan tha se “Nuk janë fshirë por nuk kanë kapur gjë sepse me ligj kamerat nuk lejohet të drejtohen nga rruga”.
Ndërkohë që ngjarja kriminale që tronditi sot Elbasanin nuk ka katër të plagosur, por pesë. Gazetari Spartak Koka deklaroi se një person tjetër është plagosur dhe po mjekohet në shtëpi.
“Janë 5 persona deri më tani të shpallur në kërkim, njëri prej tyre dyshohet të ketë mbetur i plagosur në vendngjarje dhe po merr mjekim, sipas informacionit operativ, po merr mjekim fshehurazi. Po punohet nga strukturat e policisë për ta kapur, por dyshohet se po mjekohet në mënyrë të fshehtë” tha Koka.
Por si ndodhi ekzekutimi në Elbasan?
Mesditën e sotme rreth orës 14:00 në lagjen “5 Maji” përpara zyrës elektorale të PD-së në Elbasan ndodhi përplasja me armë me prapavijë politike. Të përfshirë ishin dy grupe, PS dhe PD. Nga grupi i PS-së, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagos dhëndri i tij Eltjon Bodinaku.
Nga grupi i PD-së u plagosën Emiljan Prenga 39 vjeç dhe Pavlo Vuksani 50 vjeç. Ndërkohë që një tjetër person është plagosur dhe po mjekohet fshehurazi në shtëpi, sipas gazetarit Spartak Koka.
Autori i vrasjes së Xhuvanit sipas policisë është Arbër Papleka, pjesë e strukturës së PD-së në Elbasan për të mbrojtur votën. Konflikti mes palëve nisi pas denoncimit të grupit të PD-së se në zonën e “5 Majit” po lëvizte një makinë ku socialistët po shpërndanin lekë për zgjedhjet.
Në kërkim për ngjarjen është shpallur Kelmend Xhaferri i njohur edhe si Kel Çami./ db/ Abcnews.al