Zhbllokimi i Brexit, May takon liderin e opozitës

schedule23:00 - 3 Prill, 2019

schedule 23:00 - 3 Prill, 2019

Në përpjekje për të zhbllokuar procesin e Breksit, Kryeministrja britanike Theresa Mej ka zhvilluar një takim me kryetarin e opozitës Xheremi Korbin. Të dy liderët e kanë vlerësuar takimin si konstruktiv, por për arritjen e një marrëveshjeje që të votohet në Parlament duhet ende punë.

Kryeministrja britanike Theresa Mej dhe lideri i laburistëve në opozitë Xheremi Korbin kanë zhvilluar të mërkurën një takim kokë më kokë, në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin e Breksit. Gjatë takimit, dy liderët ranë dakord për hartimin e një programi pune, në përpjekje për të çuar përpara votimin në Parlament. Sipas BBC, secila palë ka caktuar një ekip negociator, që do të zhvillojë së shpejti bisedime në lidhje me marrëveshjen e daljes nga BE-ja. Duke cituar burime konfidenciale, rrjeti informativ britanik shkruan se të dyja palët kanë shfaqur fleksibilitet dhe gatishmëri për t’u dhënë fund pasigurive që kanë përfshirë procesin e Breksit.

Duke folur në përfundim të takimit, Korbin tha se ndryshimet në pozicionin e Mej nuk ishin ato që priste, por nënvizoi se takimi kishte qenë i dobishëm dhe shtoi se bisedimet do të vazhdojnë. Britania e Madhe ka kohë deri më 12 prill për t’i propozuar një plan Bashkimit Europian, i cili duhet të pranohet nga blloku, në të kundërt mbretëria do të dalë pa një marrëveshje në atë datë. Kryeministrja Mej synon të arrijë me liderin e laburistëve një marrëveshje që të votohet përpara 10 prillit, kur BE do të mbajë një samit të jashtëzakonshëm për Breksit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!