Zhaklina Peto padi kundër KED për ndërprerjen e garës për në Gjykatën Kushtetuese

schedule11:52 - 28 Dhjetor, 2020

schedule 11:52 - 28 Dhjetor, 2020

Zhaklina Peto ka depozituar padi kundër Këshillit të Emërimeve në Drejtësi lidhur me ndërprerjen e garës për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese. Ajo ka deklaruar për gazetaren e ABC Erneta Shevroja se e ka depozituar padinë me postë për shkak të pamundësisë për t’u paraqitur personalisht apo për të caktuar një person me prokurorë. Në padinë e saj, Peto shprehet se e cilëson rrëzimin e kandidaturës së saj një akt të marrë në shkelje të rënda të procedurës së gjykimit.

“Unë kërkuesja Zhaklina Peto, kam aplikuar pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vendin vakant për gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e shpallur nga presidenti i Republikës me datën 22 Nëntor 2019.

Pasi u njoha me arsyetimin e vendimit nr. 61 datë 23 Dhjetor 2020 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidaturës së Zhaklina Petos për shkak të dorëheqjes nga kandidimi për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të shpallur nga presidenti, bazuar në parashikimet e nenit 238, pika 1 të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, kundërshtoj këtë vendim si një akt i marrë në shkelje të rënda të procedurës së gjykimit”, thuhet në padinë e Petos.

Padia do të regjistrohet ditën e sotme ose nesër në Gjykaëtn e Apelit Administrativ./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!