Zgjidheni si të doni, por boll me dhunë!

schedule11:01 - 7 Janar, 2022

schedule 11:01 - 7 Janar, 2022

Nga Edi Oga

Deri kur do të vazhdojmë të shohim shfaqje të turpshme, të vëna në skenë nga maskarenj dhe të interpretuara nga shejtan-budallenj?

Nëse je një nga ata që mendon se “bunkerizimi” i SHQUP-it është veprim i drejtë për t’u mbrojtur nga hordhitë berishiste, ky shkrim nuk bën për ty!

Nëse je një nga ata që mendon se nesër “bunkeri” SHQUP duhet marrë me patjetër dhe bashistët duhet të largohen me çdo kusht, ky shkrim nuk bën as për ty!

Të gjithë ju që bini në dy kategoritë e mësipërme të mendimit dhe veprimit politik, keni të gjithë respektin tim, sepse sidoqoftë jeni në të drejtën tuaj për të ndjekur një lider. Zoti jua bëftë mbarë!

Shqetësimi im është për ata qytetarë të shumtë të cilët janë në opozitë me këtë qeverisje, por që kanë humbur përfaqësimin politik! Halli është për të qarë, sepse cilido nga palët në konflikt të fitojë nesër e në vazhdim, çarja është kaq e madhe sa zor se do mbërrijmë në zgjedhjet e ardhshme me ndonjë alternativë të denjë për t’u votuar!

Përpara sesa të ekzekutoni shfaqjen tuaj të shëmtuar tek godina e SHQUP-it, ta dini se të dy palët jeni Partia Demokratike, partia që solli demokracinë, pluralizmin dhe lirinë e zgjedhjes me votë të lirë! Duhet të dini se idhtarët tuaj që janë gati për përplasje fizike janë vetëm disa dhjetëra, kurse ata që duan që të votojnë një parti që ju do të udhëhiqni, janë qindra mijëra.

Mos i zhgënjeni ata!

Mos lumturoni një milion kundërshtarët tuaj politikë!

Mos habisni një miliard njerëz që ndjekin lajmet nga Bota!

Zgjidheni si të doni, por boll më me dhunë!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!