Nga Ahmet Zani
Ahmet Muzhika nga Bushneshi i Krujës prej vitit 1996 kultivon rrush. Fillimisht mbolli 5 dynym tokë. Me kalimin e viteve arriti të zgjerojë sipërfaqen, pasi në vitin 2005 mori ndihmë financiare.
“Nisa në 1996 dhe pas 3 vjetësh dha prodhim. I kam bërë shumë shërbime. Mora një agronom nga Italia dhe më mësoi në 2003 si të mbillja me pak shpenzime, jo me gropa si dikur, por e punoja tokën thellë. E kishte me shumë zhvillim rrushi. Kam pasur shumë rendiment. Në 2005 më subvencionoi qeveria, na dha nga 500 mijë lekë të vjetra për dynym dhe bëra 17 dynym tokë vreshta”, tha ai.
Këto parcela i ka investuar me kursimet e djemve që i ka emigrantë. Duket se paratë do të shkojë dëm, pasi vitet e fundit thotë se është në vështirësi se nuk ka përfituar mbështetje financiare dhe nuk ka treg për të shitur rrushin, verën apo rakinë.
“Tregu është i bllokuar. Nuk ka treg Shqipëria se hyn rrush nga Maqedonia pa doganë. Jam i detyruar ta jap o me qira ose ta shkul. Ku ta çoj verën, ku ta çoj rakinë. Asnjë lloj subvencioni bëra dokumentet, para tre vjetësh, s’mora. Shkova në Ministrinë e Bujqësisë s’më priti njeri. Fermerët shqiptarë kanë marrë fund”, shtoi fermeri.
73 vjeçari është dorëzuar, rrushin nuk po e vjel. Thotë se ka falimentuar dhe po mendon të largohet nga vendi.
“Çunat kanë futur shumë pare këtu, i kam në Itali të dy shoferë. Tani falimentova, do detyrohem t’i lë vreshtat dhe shtëpitë e të shkoj në Itali”, tha fermeri.
Fermerë si Ahmeti janë të paktën në fshatrat e Krujës, shumica nuk i punojnë tokat, pasi kanë ikur jashtë vendit. Ndërsa të tjerët nuk kanë mbështetje dhe nuk kanë mundësi të shesin prodhimet./Abcnews.al/