“Zgjedhorja”, Opozita e Bashkuar: Qeveria të heqë dorë nga manovrat dhe provokimet

schedule15:52 - 1 Korrik, 2020

schedule 15:52 - 1 Korrik, 2020

Opozita e bashkuar ka reaguar këtë të mërkurë në lidhje me propozimin e mazhorancës për heqjen e koalicioneve.

Në reagimin e saj opozita thekson se qeveria duhet t’i përmbahet angazhimit për miratimin e Reformës Zgjedhore pa asnjë ndryshim.

Gjithashtu ata kërkojnë që të heqë dorë nga manovrat apo provokimet, që do të minonin konsensusin e arritur deri më tani për Reformën Zgjedhore, midis forcave politike.

Deklaratë e opozitës së bashkuar:

Sot është përmbyllur kodifikimi me konsensus i Dakordësisë së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore, duke shënuar një kontribut real të opozitës për plotësimin e 1 nga 15 kushtet për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Opozita e Bashkuar kërkon miratimin pa vonesa të draftit të depozituar zyrtarisht në Kuvend, sipas Marrëveshjes Politike të 14 Janarit.

Qeveria duhet t’i përmbahet angazhimit për miratimin e Reformës Zgjedhore pa asnjë ndryshim, duke hequr dorë nga manovrat apo provokimet, që do të minonin konsensusin e arritur midis forcave politike. Zbatimi sa më parë i ndryshimeve ligjore do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin nga puna sa më parë të KQZ për implementimin e identifikimit biometrik. Opozita e Bashkuar falenderon edhe njëherë partnerët ndërkombëtarë për ndihëm e çmuar që kanë dhënë gjatë procesit dhe për nxitjen e palëve politike drejt këtij konsensusi që i hap rrugë zgjedhjeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!