Panik në stafin e Donald Trump pasi sondazhet e brendshme tregojnë një rënie si pasojë e vrasjes së George Floyd dhe pandemisë së koronavirusit.
Për momentin nuk shihet asnjë pikë kthese. Mesazhi i tij për ligj dhe rend nuk përputhet me elektoratin dhe presidenti ndër të tjera ka dhe një problem të vërtetë me gratë të cilat duket se e kanë braktisur në masë. Sipas CNN Joe Biden është 14 pikë para.
Sipas mediave amerikane, këshilltarët e fushatës së presidentit janë në kërkim të një mesazhi më pozitiv, të një teme të re e cila shkon përtej dhe që ka të njëjtin sukses si “Ta Bëjmë Amerikën sërish Madhështore”. Një detyrë jo e lehtë por që stafi është i bindur se do ta gjejë duke u shprehur se ka ende shumë kohë në dispozicion.
Teksa protestat për vrasjen e Floyd vijojnë të pushtojnë vendin, Biden merr 55 për qind të mbështetjes të popullit kundrejt 41 për qind të Trump. Kjo e fundit është përqindja më e ulët e regjistruar ndonjëherë për kreun e shtëpisë së bardhë. Në total 38% e amerikanëve miratojnë mënyrën se si Trump po drejton vendin, ndërsa 57% nuk e mbështet. Një shifër e ngjashme me përqindjen e Jimmy Carter dhe George Bush në fund të mandateve të tyre. Të dy ata nuk arritën të rizgjidheshin./abcnews.al