Zgjedhjet presidenciale në Venezuelë/ BE nuk njeh fitoren e Maduros

schedule15:56 - 31 Korrik, 2024

schedule 15:56 - 31 Korrik, 2024

Pas dyshimeve të ngritura nga Uashingtoni, edhe Bashkimi Europian ka konfirmuar se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë.

Ndërkohë vazhdojnë protestat në kryeqytetin e Venezuelës për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Karakas në shenjë mbështetje të opozitës dhe kundër fitores së Nikolas Maduros.

Shumë prej tyre thonë se nuk do të ndalojnë derisa të ketë një qeveri të re, ndërsa disa të tjerë kërkojnë që ushtria dhe forcat e policisë t’u bashkohen protestuesve. Megjithatë efektivët e sigurisë deri më tani i kanë qëndruar besnik presidentit Maduro dhe kanë qëlluar me gaz lotsjellës dhe plumba gome në drejtim të manifestuesve.

Autoritetet njoftojnë se më shumë se 750 persona janë arrestuar. Dy Organizata joqeveritare në Venezuelë thonë se disa njerëz kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur nga përleshjet mes protestuesve dhe policisë.

Ministri i Mbrojtjes në shtetin e Amerikës Latine i konsideroi protestat një grusht shteti. Maduro pretendon fitoren e zgjedhjeve presidenciale, të shpallur edhe nga Komiteti Zgjedhor, por opozita thotë se triumfoi me mbi 70% të votave.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!