Zgjedhjet, partitë duhet të regjistrohen deri në 15 shkurt

schedule15:04 - 2 Janar, 2021

schedule 15:04 - 2 Janar, 2021

Nga Esiona Konomi

Në 25 prill Edi Rama do t’ju drejtohet shqiptarëve për të rrëzuar idenë se në Shqipëri qeveritë ndërrohen cdo 8 vjet. Ai kërkon të krijojë një precedent të ri, duke dashur të shënojë një rekord si kryeministër i tre mandateve. Nga ana tjetër, Lulzim Basha së bashku me partitë opozitare synon që për herë të parë të ulet në karrigen kryeministrore.

Por përpara se shqiptarët të vendosin, liderët duhet të marrin disa vendime me rëndësi, që do të jenë përcaktuese për fushatën.

Matematikë dhe politikë.

Të gjitha partitë duhet ta nisin nga hapi  i parë, që është regjistrimi në KQZ për pjesëmarrjen në zgjedhje. Ky veprim nga cdo subjekt duhet bërë deri në 15 shkurt, sipas afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Lulzim Basha ka një negociatë të vështirë përpara. Brenda 24 shkurtit ai duhet të vendosë me aleatët e tij, nëse do të kandidojnë bashkë, në një listë, apo të ndarë në disa blloqe opozitare. Strategjia duhet të përfundojë 60 ditë përpara zgjedhjeve kur duhet të depozitohen në KQZ kërkesat për koalicione.

Edi Rama do të garojë i vetëm, ndërsa Tom Doshi, nuk do të strehohet në listat e PS-së, por do të dalë më vete. Ai synon mandatin në Shkodër, por për këtë është i detyruar të kandidojë në të gjitha qarqet e vendit.

Kjo vlen për çdo parti, e cila nëse merr pjesë në zgjedhje nuk mund të kandidojë në një apo disa qarqe, por në të 12-të njësitë, me listë të plotë kandidatëtësh.

Të gjithë kryetarët e partive apo udhëheqësit e koalicioneve duhet të vendosin deri në 7 mars se kush do të jetë lista e kandidatëve. Ky është afati i fundit, për të zyrtarizuar skuadrën, e cila do të votohet emër për emër. Gjithësesi, edhe pse listat janë të hapura, prapë kryetari i partisë do të jetë ai që do të caktojë renditjen e kandidatëve.

Numri i partive të regjistruara do të jetë tregues edhe për modelin e fletës së votimit, e cila, këtë radhë do të jetë më e komplikuar, meqë duhet të përmbajë jo vetëm emrat e partive që garojnë, por edhe të kandidatëve të cilët po ashtu do të grumbullojnë vota personale sipas formulës së listave të hapura. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!