Zgjedhjet në Turqi/ Fillon votimi i raundit të dytë jashtë vendit

schedule08:31 - 20 Maj, 2023

schedule 08:31 - 20 Maj, 2023

Qytetarët turq që jetojnë jashtë mund të votojnë nga sot për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Turqi.

Presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan fitoi më shumë vota në raundin e parë të zgjedhjeve më 14 maj, por nuk fitoi një shumicë absolute prej më shumë se 50% për të shmangur balotazhin.

Erdogan tani do të përballet me Kemal Kilicdaroglu, i cili doli i dyti në raundin e parë.

Rreth 61 milionë votues priten të shkojnë në kutitë e votimit më 28 maj për të zgjedhur mes dy kandidatëve.

Është hera e parë në historinë e Turqisë që do të mbahet një raund i dytë për të zgjedhur një president.

Jashtë vendit, rreth 3.4 milionë votues kanë të drejtë të marrin pjesë në raundin e dytë të votimit. Diaspora më e madhe është në Gjermani, ku jetojnë rreth 3 milionë njerëz por, rreth 1.5 milionë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet turke. Sipas autoritetit zgjedhor turk ata kanë afat deri më 24 maj të votojnë në 17 qendra elektorale.

Në Berlin, njerëzit mund të votojnë deri të mërkurën edhe në konsullatën e përgjithshme turke në rrethin Charlottenburg-Wilmersdorf, sipas ambasadës turke.

Ambasada thotë se turqit dhe shtetasit e dyfishtë gjermanë dhe turq nga Berlini dhe Brandenburgu mund të votojnë për sa kohë që janë regjistruar tashmë përpara raundit të parë të votimit.

Sipas ambasadës, rreth 64,000 votues hodhën votën e tyre në konsullatën e përgjithshme në raundin e parë.

Federata Turke e Berlin-Bradenburg (TBB) thotë se të dy fraksionet po mobilizojnë mbështetësit e tyre në Berlin për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Në raundin e parë të votimit, rreth 65% e votuesve në Gjermani votuan për Erdoganin, që do të thotë ai kishte mbështetjen më të madhe të emigrantëve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!