Zgjedhjet në Serbi, votimet nuk do të mbahen në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë

schedule08:07 - 23 Nëntor, 2023

schedule 08:07 - 23 Nëntor, 2023

Serbët e Kosovës që duan të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe të 17 dhjetorit, duket se do të udhëtojnë drejt Serbisë për të hedhur votën e tyre, ndërsa Prishtina nuk ka lejuar hapjen e vendvotimeve në Kosovë.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, mblodhi të mërkurën në Rashkë, një komunë në Serbinë jugperëndimore, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës për të diskutuar rrugët e përfshirjes së tyre në votime.

Mbledhja u organizua pak pasi ai njoftoi Komisionin e Zgjedhjeve në Serbi se “nuk është e mundur mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë”, meqë siç tha ai, “regjimi i Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë, në krye me Albin Kurtin, e kushtëzon mbajtjen e këtyre zgjedhjeve me njohjen nga Beogradi të pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Kosovë”.

Në fillim të nëntorit, Beogradi i kërkoi misionit të OSBE-së në Kosovë që të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë, për zgjedhjet në Serbi. OSBE-ja tha se e ka informuar qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë të rëndësishëm për këtë kërkesë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një përgjigje ndaj kërkesës së OSBE-së tha se “për votimin e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duhet të arrihet një marrëveshje e posaçme midis Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë duhet të marr për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtete të barabarta, në pajtim me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në të kaluarën, zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë lehtësuar nga misioni i OSBE-së dhe deri në vitin 2020 Kosova, nuk e ka penguar organizimin e tyre. Votat janë grumbulluar nga OSBE-ja dhe janë dërguar për numërim në Serbi.

Por, në prill të vitit 2022, qeveria e Kryeministrit Kurti tha se Serbia duhet t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e saj. Serbia refuzoi dhe si rrjedhojë votuesit serbë nga Kosova kanë votuar në Serbi.

Në janar të vitit 2022, qeveria e Kosovës nuk pranoi mbajtjen në shtetin e saj të një referendumi të Serbisë, duke ofruar mundësinë që kjo të ndodhë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse serbe në Prishtinë, gjë që u refuzua nga Beogradi.

Me 1 nëntor, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare me 17 dhjetor, të tretat me radhë në Serbi në tre vjet e gjysmë.

Shpallja dhe mbajtja e tyre, ndodh në një periudhë përpjekjesh diplomatike perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, mes tensioneve që pasuan një sulm të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator. Sulmin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës e cila është themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.

Me 27 tetor, udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane, Francës, Gjermanisë dhe Italisë i kërkuan Kosovës më shumë autonomi për pakicën serbe, ndërsa Serbisë njohjen “de fakto” të pavarësisë së Kosovës. Kërkesat janë pjesë e përpjekjeve të ripërtërira për të nxitur përmbushjen e një marrëveshjeje të arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Vëzhguesit tërheqin vërejtjen se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në këtë periudhë mund të zvarris zbatimin e marrëveshjes, tashmë të vonuar./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!