“Zgjedhjet në Rusi nuk ishin të lira dhe të ndershme”, Borrell: Nuk do të njohim rezultatet e paligjshme në rajonet e aneksuara të Ukrainës

schedule11:54 - 18 Mars, 2024

schedule 11:54 - 18 Mars, 2024

Zgjedhjet në Rusi nuk ishin të lira dhe të ndershme dhe u bazuan në shtypje dhe frikë, tha sot shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Sipas tij, 27 vendet anëtare të BE-së do të lëshojnë një deklaratë të përbashkët për zgjedhjet në Rusi gjatë ditës së sotme.

Zgjedhjet presidenciale në Rusi “nuk ishin të lira dhe të drejta”, por u bazuan në “shtypje dhe frikë”, tha Borrell.

Ato u kryen “në një kontekst kufizues, të rënduar nga lufta e paligjshme e agresionit të Rusisë në Ukrainë”, shtoi ai, në deklaratën që dha ​​në emër të Bashkimit Europian.

“Autoritetet ruse kanë vazhduar të rrisin represionin sistematik në Rusi, duke synuar opozitën, shoqërinë civile, mediat e pavarura dhe zëra të tjerë kritikë, ndërsa u janë drejtuar legjislacionit represiv dhe dënimeve me burgim të motivuara politikisht”, theksohet në deklaratë.

Brukseli tha gjithashtu se nuk do të njihte rezultatin e zgjedhjeve të paligjshme në territoret ukrainase nën kontrollin rus, pasi sipas tyre janë të pavlefshme dhe nuk prodhojnë asnjë efekt juridik.

Kujtojmë se Vladimir Putin, i cili u rizgjodh dhe do të qëndrojë në pushtet edhe për gjashtë vite të tjera, sipas rezultateve të deritanishme të zgjedhjeve presidenciale pa opozitë, skicoi portretin e një Rusie që “forcohet” nga fitorja e tij dhe nuk do të “frikësohet” nga kundërshtarët e saj.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!