Zgjedhjet në FRPD, Basha: Mandati i kryetarit ka skaduar prej dy vitesh

schedule11:40 - 6 Nëntor, 2021

schedule 11:40 - 6 Nëntor, 2021

“Sajesë e fabrikuar  për interesa personale”, kështu ka deklaruar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me akuzat e hedhur ndaj tij, se vendimi për zgjedhjet në Forumin Rinor të Partisë Demokratike erdhi pasi kreu i kësaj organizate Belind Këlliçi ka deklaruar se do të marrë pjesë në “Foltoren” e Berishës.

Ndërkohë Basha ka folur edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që legjitimoi zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Kreu i PD-së tha se do të presin vendimin për zbardhjen e plotë të argumentimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pyetje: Zoti Basha, jeni gati për zgjedhje të pjesshme lokale?

Lulzim Basha: E para e punës të presim vendimet dhe zbardhjen e tyre. Padiskutim që atentati anti-demokratik i “30 qershorit” është pjesë e skemës së shkatërrimit të demokracisë nga rrëgjimi në fuqi dhe objektivi kryesor i Partisë Demokratike është të rikthejë Shqipërinë në një vend demokratik nga një regjim autokratik në të cilin është kthyer nën sundimin e Edi Ramës.

Pyetje: Zoti Basha, po zgjedhjet në Forumin Rinor të Partisë Demokratike, e morët vendimin për t’u zhvilluar vetëm sepse zoti Belind Këlliçi do marrë pjesë në “Foltoren” e Berishës?

Lulzim Basha: Jo s’është fare e vërtet. Kjo është një sajesë e fabrikuar për interesa personale. Për herë të parë nën drejtimin tim, Forumi Rinor i Partisë Demokratike ka zhvilluar zgjedhje, madje zgjedhje një anëtarë një votë për kryetarin, si dhe zgjedhjen e forumeve drejtuese. Për fat të keq prej dy vitesh mandati i forumeve drejtuese dhe i kryetarit ka skaduar dhe në përputhje me normat demokratike, përsëri me një anëtarë një votë, të rinjtë dhe të rejat demokrate do zgjedhin përfaqësuesit e tyre duke përfshirë dhe kryetarin e ri.

Pyetje: Po pse vendosët në këto momente, sepse duhet pasur parasysh që ju keni edhe zgjedhjet lokale?

Lulzim Basha: Ne kemi shumë sfida përpara, por asgjë nuk mund të pengojë Partinë Demokratike që të zbatojë normat statutore të demokracisë dhe aq më pak interesat personale të pengojnë funksionimin e parimeve të tilla siç është zgjedhje një anëtarë një votë, që është një risi për të cilën Partia Demokratike është ballë lartë dhe unë si kryetar i saj, jam krenar.

Pyetje: A ka të drejtë kryetari i Partisë Demokratike për të shpallur zgjedhjet për një organizatë partnere?

Lulzim Basha: Është i njëjti proces që është ndjekur edhe në 2014-ën, ku për herë të parë është ndjekur parimi një anëtar një votë. Por vëmendja juaj sot duhet të përqendrohet edhe në një lajm tjetër që i shtohet vettingut të politikanëve, javën e ardhshme ne do të përparojmë me ligjin e formuluar prej kohësh, draftligjin e formuluar prej kohësh, për të përfshirë në kuadrin ligjor anti-mafia, pra në ligjin anti-mafia, edhe nene kundër oligarkisë.

./abcnews.al/