Zgjedhjet europiane, 427 milionë votues vendosin për deputetët

schedule13:14 - 23 Maj, 2019

schedule 13:14 - 23 Maj, 2019

427 milionë europianë me të drejtë vote do të vendosin këto ditë për rinovimin e Parlamentit Europian. Dy vendet e para ku ka nisur votimi janë Britania e Madhe dhe Holanda. Ndërkohë 73 eurodeputetët britanikë do të mbajnë postet e tyre deri në momentin e daljes së Londrës nga Bashkimi Europian.

Britania e Madhe dhe Holanda janë dy vendet e para që votojnë për rinovimin e parlamentit të Bashkimit Europian. Janë rreth 427 milionë europianë që do të votojnë. Londra duhej të ishte larguar nga BE në 29 Mars, por pati një shtyrje të afatit për të përmbyllur negociatat deri në 31 Tetor. Të premten do të votohet në Sllovaki, Letoni dhe Maltë. Të gjithë vendet e tjera do të votojnë të dielën e 26 Majit.

Gjermanët zgjedhin 96 eurodeputetë, francezët 74, italianët 73, spanjollët 54, polakët 51, rumunët 32, holandezët 26. Në Belgjikë, Republikë Çeke, Greqi, Hungari e Portugali do të zgjidhen 21 eurodeputë; 20 në Suedi; 18 në Austri; 17 në Bullgari; 13 në Danimarkë, Sllovaki e Finlandë; 11 në Irlandë; Kroaci e Lituani; 8 në Letoni e Slloveni; 6 në Estoni, Qipro, Luksemburg e Maltë.

73 eurodeputetët që do të zgjidhen nga britanikët do të qëndrojnë në parlament deri në ditën e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE. Në atë moment do të aplikohet në Parlamentin Europian shpërndarja e re e vendeve, me një rritje të numrit të të zgjedhurve nga 1 në 5 për 14 vende. Më saktë, pesë vende do i shtohen Francës dhe Spanjës, 3 Italisë dhe Holandës, 2 për Irlandën; ndërsa Estonia, Kroacia, Finlanda, Sllovakia, Danimarka, Austria, Suedia, Rumania dhe Polonia do të kenë nga një eurodeputet më shumë.

Për aplikimin e shpërndarjes së re, në disa vende do të mbahen zgjedhje shtesë, ndërsa në vendet e tjera do të mund të përfitojnë të parët që nuk kanë mundur të hyjnë në Parlamentin Europian në zgjedhjet e kësaj fundjave.

Procesi zgjedhor zhvillohet sipas sistemeve elektorale të secilit vend, por të gjitha shtetet anëtare duhet të respektojnë disa rregulla të përbashkëta. Kjo shpjegon se pse në disa vende, si për shembull në Mbretërinë e Bashkuar, rezultati i zgjedhjeve europiane janë shumë ndryshe, në përgjithësi, nga rezultati i zgjedhjeve politike kombëtare.

Mes 28 vendeve anëtare, vetëm pesë: Italia, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Belgjika dhe Irlanda, ndajnë territorin në qarqe elektorale, ndërsa në 23 vendet e tjera votohet në një qark të vetëm kombëtar.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është ai mes vendeve ku votohet me lista të bllokuara si: Spanja, Portugalia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Hungaria e Rumania, dhe vendeve ku mund të shprehen preferencat.

Një faktor që ndikon shumë në rezultatet e votimit, sidomos për grupimet e vogla politike është dhe pragu, i cili nuk parashikohet në 13 vende anëtare. Ndërsa 10 vende e kanë vendosur pragun në 5 për qind, tre vende në 4%, Greqia 3%, dhe Qipro 1.8%.

Rregullat e reja të miratuara në vitin 2018 parashikojnë që vendet me më shumë se 35 eurodeputetë duhet të fiksojnë me detyrim një prag duke filluar nga viti 2024. Një prag jo më të ulët se 2% dhe jo më të lartë se 5%.

Nuk përjashtohet mundësia që kjo dispozitë të anulohet para se të hyjë në fuqi, duke marrë parasysh që aktualisht Gjermania nuk ka asnjë prag për zgjedhjet parlamentare europiane si rrjedhojë e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese Federale, që e rrëzoi në vitin 2014 duke e gjykuar si antikushtetuese./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!