4.5 milionë euro do kushtojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do mbahen 12 prillin e ardhshëm në Maqedoninë e Veriut. Puna ka nisur për përgatitjen e tyre.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni po përgatitet për menaxhimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që pritet të mbahen më 12 prill të vitit të ardhshëm. Zëdhënësi Admir Shabani tha se zgjedhjet do t’i kushtojnë vendit 4.5 milionë euro, ndërkohë që do të përditësohet edhe lista e zgjedhësve.
Komisioni shtetëror i zgjedhjeve në Maqedoni thotë se është i përgatitur për të menaxhuar siç duhet proçesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit, për të cilat u ra dakord nga të gjithë liderët e partive politike pas takimit me Presidentin Stevo Pendarovski.
Zëdhënësi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Admir Shabani tha për mediat në Maqedoni se KSHZ është e përgatitur për procesin zgjedhor dhe nënvizoi se do të bëhet edhe përditësimi i listës zgjedhore.Ai konfirmoi se zgjedhjet e parakohshme parlamentare shtetit do t’i kushtojnë 4.5 milionë euro.
Shabani theksoi se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është i përgatitur, nuk i mungon përvoja dhe kapacitetet e tij tregojnë që deri tani kanë zhvilluar dhe realizuar një sërë procesesh zgjedhore.
Kjo përbërje e KSHZ-së realizoi në afat shumë të shkurtër kohor referendumin në vitin 2018 dhe zgjedhjet presidenciale të cilat u fituan nga kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski./abcnews.al