Zgjedhjet e 6 marsit, Celibashi: Rezultati brenda 48 orësh, dy hetime për Durrësin dhe Rrogozhinën

schedule11:47 - 4 Mars, 2022

schedule 11:47 - 4 Mars, 2022

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka deklaruar se rezultati për zgjedhjet e 6 marsit pritet të dalë 48 orë pas përfundimit të procesit të votimit në të gjitha qendrat. “Në Vorë synohet që rezultati paraprak të shpallet sapo të mbyllet procesi i votimit. Jo më vonë se ora 20:00. Brenda mbrëmjes së datës 6 Mars. Sa i takon nxjerrjes së rezultatit në bashkitë e tjera i kemi marrë të gjitha masat nga ana logjistike dhe nuk besoj se do kemi probleme për të shpallur rezultatin jo më vonë se 48 orë nga mbyllja e votimit. Ndoshta edhe më shpejt. Sepse kemi një numër të kufizuar kandidatësh dhe nuk implikon më shumë se kërkon ligji”, tha ai.

Pyetur nga gazetarët nëse janë hasur parregullsi ose denoncime në lidhje me shitblerjen e votës, Celibashi ceku dy denoncime të Partisë Demokratike për Durrësin dhe Rrogozhinën për të cilat deklaroi se ka nisur një hetim administrativ. “Deri më tani nuk ka pasur në KQZ shqetësime për shit blerje vote. Ka pasur një denoncim nga PD për administratën publike për dy raste. KQZ ka nisur një hetim administrativ për Durrësin dhe Rrogozhinën. Kanë ardhur përgjigjet dhe po bëjmë verifikimet”, u shpreh Celibashi.

Ai shtoi se partitë politike kanë përgjegjësi për procesin zgjedhor dhe pret prej tyre që demonstrojnë këtë përgjegjësi. “Nuk kam pasur mundësi ta ndjek fushatën zgjedhore. Ne kemi monitoruesit në terren dhe nga raportimet që ne kemi, nuk janë evidentuar raste që fushata të jetë jashtë parashikimeve të ligjit. Nuk ka pasur ndonjë gjë shqetësuese deri tani. Gjërat deri tani kanë shkuar qetë por ajo që ka më shumë interes është se nesër dhe pasnesër partitë kanë përgjegjësi për procesin zgjedhor. Kjo është kryesore. Ta demonstrojnë atë në përputhje që kanë me atë proces. Këtë thirrje shpresojnë të dëgjojnë shumë mirë”, deklaroi ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!