Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, BE: Presim që të jenë me standarde

schedule13:55 - 7 Janar, 2021

schedule 13:55 - 7 Janar, 2021

Bashkimi Evropian pret që zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të caktuara për 14 shkurt, të zhvillohen sipas standardeve evropiane.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për zgjerim dhe fqinjësi, Ana Pisonero, tha se zgjedhjet në Kosovë duhet të jenë transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Ne marrim në dijeni shpalljen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 14 shkurt. Bashkimi Evropian pret zgjedhje kredibile, transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë, të zhvilluara në përputhje me standardet evropiane, në mënyrë që Kosova të lëvizë përpara”, tha Pisonero.

Ajo shtoi se “Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë i angazhuar në Kosovë, për të promovuar agjendën e integrimeve evropiane dhe reformave të domosdoshme”.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian përsërisin qëndrimin se “i takon popullit të Kosovës të zgjedhë lidershipin e vet” dhe se BE-ja do të punojë me institucionet e Kosovës në secilin aspekt, si në dialogun me Serbinë ashtu edhe në agjendën e reformave.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, më 6 janar shpërndau kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e reja, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Gjykata ka gjetur se Qeveria Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Shkak për këtë u bë vota e Etem Arifit, ndaj të cilit në kohën e votimit të qeverisë, më 3 qershor, kishte pasur një vendim të formës së prerë, për dënim prej një vit e tre muaj burgim, për veprën penale “mashtrim me subvencione”./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!