Anëtari i kryesisë së PD-së Endri Hasa, gjatë intervistës për ‘Special Report’ në ABC News, u pyet nga gazetari Arlind Isa edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Hasa u shpreh se Partia Demokratike është e gatshme që të marrë pjesë në zgjedhje nëse do të zhvillohet një skenar i tillë.
“Në momentin që je një formacion politik, gjithmonë zgjedhjet e parakohshme janë një opsion që diskutohet dhe partitë politike duhet të jenë të parapërgatitura. Në kushte normale, kemi parashikuar një proces që do të na nxjerrë me 31 mars me konfiguracionin e plotë politik. 140 kandidatë në të gjithë vendin, të bëjmë kontaktimin me shqiptarët dhe kjo periudhë nga tani deri në fund të marsit, do të zbresim të gjithë në terren për të dialoguar me shqiptarët dhe identifikuar këta njerëz që do të na betejën kundër qeverisjes”, tha Hasa.
I pyetur se ka potencial skenari i zgjedhjeve të parakohshme, Hasa shtoi: “Nuk ekskludohet kurrë për një parti politike që të mos jetë e përgatitur qoftë edhe për zgjedhje të parakohshme. Kur të ketë një skenar të tillë, ne si PD jemi të përgatitur dhe duhet të jemi gati për t’u përgjigjur skenarëve të mundshme. Ne duhet të jemi të gatshëm. Ishte një takim me kolegjin e kryetarëve, me ata njerëz që kanë mbajtur betejën gjatë këtyre dy viteve dhe sot më në fund e ndjejnë veten të përfaqësuar që PD është në detyrë dhe janë të gatshëm për të vijuar më tej.“, theksoi ai./abcnews.al