Donald Trump ka ndryshuar qëndrimin ndaj figurës së zëvendës prokurorit të përgjithshëm, që shpesh herë kishte rënë viktimë e fyerjeve të tij në Twitter. Duket se pas konfirmimit të të zgjedhurit të tij në krye të Gjykatës Supreme, Donald Trump është qetësuar dhe ka bërë me dije se nuk ka ndërmend ta shkarkojë numrin dy të drejtësisë amerikane.
Presidenti Donald Trump ka deklaruar të hënën se nuk ka në plan të shkarkojë nga detyra zëvendës prokurorin e përgjithshëm Rod Rozenshtejn, një nga hetuesit e skandalit “Rasha Gejt”. Deklarata ka ardhur dy ditë pas konfirmimit në krye të Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara së të zgjedhurit të presidentit. “Jo, nuk kam ndërmend”, ka thënë Trump kur është pyetur nga gazetarët.
Trump dhe Rozenshtejn u takuan përreth 30 minuta teksa udhëtuan së bashku në bordin e “Air Force One” për në Orlando të Floridës. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka refuzuar të japë detaje nga biseda e zhvilluar, por ka thënë se takimi me Rozenshtejn kishte qenë shumë pozitiv dhe se me të ka marrëdhënie të mira.
Zërat për një shkarkim të mundshëm të nënsekretarit të Drejtësisë ishin shtuar pas lajmit të “Nju Jork Tajms” se ai kishte bërë deklarata që vinin në dyshim aftësitë e Trump dhe se ishte shprehur i gatshëm të regjistronte fshehurazi bisedat me të.
Nga ana e tij, Rozenshtejn ka mohuar lajmin e “Nju Jork Tajms”, duke e cilësuar të gabuar dhe jokorrekt. Rozenshtejn mbikëqyr hetuesin e posaçëm Robert Myler, që po drejton hetimet mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s.
“Nuk e kisha njohur më parë, por mu dha rasti dhe tani merrem vesh shumë mirë me të”, ka thënë Trump. Presidenti ka komentuar edhe zgjedhjen e Bret Kavanah në krye të Gjykatës Supreme duke i quajtur thirrjet e demokratëve për inkriminimin e tij një “fyerje për popullin amerikan”.
Gjithashtu, Trump ka shprehur bindjen se akuzuesja e Kavanah është gabuar me identitetin e tij kur ka kujtuar ngjarjen e 36 viteve më parë./abcnews.al