“Zgjatja e Vettingut”, ONM i përgjigjet ABC: Është e nevojshme, por duhet konsultim me “Venecian”

schedule13:01 - 23 Shtator, 2021

schedule 13:01 - 23 Shtator, 2021

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit në një përgjigje të dhënë për gazetaren e ABC, Esiona Konomi, është deklaruar se është e nevojshme një zgjatje e kufizuar kohore e mandatit kushtetues të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Institucionit të Komisionerëve Publik.

Më tej ONM thekson se është në kompetencën e autoriteteve shqiptare të përcaktojnë afatet e sakta të një zgjatjeje të tillë, në konsultim të ngushtë me palët e interesuara përkatëse, përfshirë Komisionin e Venecias.

Lidhur me këtë çështje kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla tha sot se është e nevojshme që mandati i “Vettingut” të zgjatet me të paktën dy vjet në mënyrë që të gjtihë gjyqtarët dhe prokurorët të kalojnë në këtë sitë. Ndërkohë për të miratuar këto ndryshime Kushtetuese mazhorancës i duhen 94 vota në Kuvend. Kujtojmë se në qershor të vitit të ardhshëm mbaron afati i mandati të trupave gjykuese të Vettingut.

Përgjigja e ONM-së, për ABC:

“ONM konsideron se është me rëndësi parësore që të gjitha rastet e verifikimit në pritje të përfundojnë në periudhën më të shkurtër të mundshme, duke ruajtur konsistencën dhe integritetin e procesit. Për të arritur këtë rezultat, është e nevojshme një zgjatje e kufizuar kohore e mandatit kushtetues të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Institucionit të Komisionerëve Publik. Kjo do t’i lejojë dy organet të përfundojnë të gjitha rastet në të cilat ka filluar hetimi. Është në kompetencën e autoriteteve shqiptare të përcaktojnë afatet e sakta të një zgjatjeje të tillë, në konsultim të ngushtë me palët e interesuara përkatëse, përfshirë Komisionin e Venecias. “

Çfarë është ONM-ja?

Është një operacion monitorues i ngritur për të mbikëqyrur procesin e vetingut të anëtarëve të gjyqësorit në Shqipëri. ONM-ja nuk ka funksione ekzekutive që prekin rivlerësimin aktual të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, çka kryhet nga organet vendore të vetingut. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!