Zgjati vetëm 38 minuta, kjo është lufta më e shkurtër në histori

schedule22:13 - 2 Qershor, 2022

schedule 22:13 - 2 Qershor, 2022

Lufta më e shkurtër në historinë e regjistruar, nisi në orën 9 të mëngjesit të 27 gushtit 1896. Ajo përfundoi në më pak se treçerek ore, me një bilanc tronditës prej 501 ushtarësh të vrarë ose të plagosur. Kjo është historia pak e njohur e Luftës Angli-Zanzibar.

Historia nisi në vitin 1890 me nënshkrimin e traktatit Heligoland-Zanzibar midis Britanisë dhe Gjermanisë. Gjermanisë iu dha kontrolli mbi Tanganikën (Tanzania e sotme), ndërsa Zanzibari iu dorëzua ndikimit të britanikëve.

Një nga planet kryesore që kishte Britania për Zanzibarin, ishte shfuqizimi i skllavërisë. Por ky veprim i zemëroi tregtarët e pasur dhe klasën sunduese. Edhe Sulltani i Zanzibarit, SeidAli ibn Saidi, i rezistoi këtyre urdhrave derisa vdiq në vitin 1893.

Britanikët shfrytëzuan rastin për të vendosur në krye Sulltanin Hamad bin Tuaini, i cili do të ishte më i nënshtruar ndaj sundimit perandorak. Më 25 gusht 1896, Hamad vdiq papritur në pallatin e tij. Dyshohet se ai mund të ishte helmuar me urdhër të kushëririt të tij, Princit Kalidbin Barghash, që zuri vendin e tij si Sulltanit dhe u zhvendos në pallatin mbretëror. Kalid u shndërrua në një simbol të rezistencës kundër ndërhyrjes evropiane në rajon.

Rreth 3.000 ushtarë dhe mbështetës të tij, iu bashkuan atij në pallatin mbretëror. Britanikët e urdhëruan që t’ia jepte fronin kushëririt të tij Hamud bin Muhamed. Më pas, për të provuar fuqinë e tyre, ata mblodhën një forcë prej 900 trupash dhe vendosën 5 anije të Marinës Mbretërore në portin që ndodhej pranë pallatit.

Kundëradmirali Herri Rouson i dërgoi sulltanit një ultimatum, duke urdhëruar që ai dhe trupat e tij ose të largoheshin nga pallati dhe të dorëzonin armët deri në orën 9 të mëngjesit të ditës tjetër, ose do të përballeshin me një deklaratë lufte. Kalid besoi se ky ishte një kërcënim bosh, ndaj e refuzoi ultimatumin.

Në orën 9 të mëngjesit të 27 gushtit 1896, Rouson urdhëroi që anijet të hapnin zjarr mbi pallatin, i cili u përfshi shumë shpejt nga flakët. Lufta mbaroi brenda 38 minutave, dhe  britanikët kishin shkatërruar armët mbrojtëse, dhe kishin vrarë ose plagosur 500 nga njerëzit e sulltanit.

Në atë luftë shumë të shkurtër, u plagos edhe një ushtar britanik. Po atë pasdite britanikët vendosën në fron sundimtarin e zgjedhur prej tyre, Hamud bin Muhammed. Sa i përket Kalidbin Barghash, ai u arratis nga pallati mbretëror dhe kërkoi azil politik në konsullatën gjermane.

Gjermanët e ndihmuan të largohej nga vendi, dhe ai u kap vetëm nga britanikët në vitin 1916, gjatë Luftës së Parë Botërore. Pasi hoqi dorë nga pretendimet e tij për fronin, Kalid u lejua të jetonte në Mombasa. Ai vdiq atje në vitin 1927. Skllavëria në Zanzibar u shfuqizua në vitin 1897. / ancient origins – bota.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!