Zgjatet karantina, shtrëngohen masat për Covid-19 në Kakavijë, si do të lëvizet nga e hëna

schedule07:51 - 27 Shkurt, 2021

schedule 07:51 - 27 Shkurt, 2021

Vendosen masa të reja për lëvizjen në pikën Kufitare të Kakavijës.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme  njoftoi se nga e hëna do të lejohen të kalojnë vetëm 400 qytetarë në ditë, nga 750 persona që lejoheshin.

Për drejtuesit e kamionëve do të realizohet testi për Covid-19, ndërsa karantina do të jetë 14 ditore. Masat janë njoftuar për shkak të situatës së pandemisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Njoftimi i plotë nga Ministria e Punëve të Jashtme:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton përforcimin e masave anti-Covid në Pikën e Kalimit në Kakavijë.

Duke filluar nga data 1 mars e deri më 15 mars 2021:

– Pika Kufitare do të jetë e hapur nga ora 07:00 deri në orën 19:00, në vend të orës 23:00 që ishte deri tani.

– Do të kufizohet më tej numri i personave që futet çdo ditë. Nga 750 persona, do të lejohen vetëm 400.

– Ata që do të futen në Greqi do t’i nënshtrohen një testi të shpejtë, nga i cili nuk do të përjashtohen edhe shoferët e kamionëve apo mauneve.

– Të gjithë ata që do të testohen pozitiv, nuk do të lejohen të hyjnë në Greqi, ndërkohë që ata që hyjnë, do t’i nënshtrohen një karantine të detyrueshme 14 ditore, nga 7 ditë që ishte deri më tani.

Gjithashtu MEPJ rikujton se Pikat e Kalimit në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi vijojnë të jenë të hapura dhe shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë drejt këtyre vendeve, pa pasur nevojë për PCR test negativë dhe pa iu nënshtruar masave të izolimit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!