Zëvendëskryeministri i Australisë, Barnaby Joyce ka thënë se ka ofruar të japë dorëheqjen pasi e ka quajtur kryeministrin “hipokrit dhe gënjeshtar” në një mesazh. Joyce kërkoi falje pasi mësoi se mesazhi i dërguar vitin e kaluar dhe i kaluar tek një ish-punonjëse e Partisë Liberale të Scott Morrison po bëhej publik. Teksti ishte i datës 22 mars, përpara se zoti Joyce të merrte rolin e tij aktual.
Duke refuzuar dorëheqjen e tij kryeministri Morrison tha: “Ne të gjithë kemi dobësitë tona dhe askush prej nesh nuk është i përsosur”. Joyce, 54 vjeç, u tha gazetarëve të shtunën: “Dua t’i kërkoj falje kryeministrit… Nuk duhet ta kisha shkruar kurrë tekstin”. “Pikëpamja ime nga tavolina për kryeministrin bazohej në supozime dhe komente, jo nga një marrëdhënie pune kokë më kokë”.
Në mesazhin që u zbulua këtë javë Joyce e përshkruante kryeministrin australian si “një hipokrit dhe gënjeshtar nga vëzhgimet e tij prej një kohe të gjatë” duke shtuar: “Nuk më pëlqen se si ai e riorganizon me zell të vërtetën në një gënjeshtër”. Ai më tej thotë se “kurrë nuk i besoi” dhe nuk “u morë vesh” me kryeministrin. Mesazhi i’u dërgua ish-këshilltares politike Brittany Higgins që punonte për Partinë Liberale raporton “BBC”.
Zonja Higgins ka folur për përdhunimin e saj të dyshuar në parlament në vitin 2019 në një rast që ndezi zemërim mbi një kulturë seksizmi dhe mizogjinie në politikën australiane. Morrison tha se ai kishte “pranuar menjëherë” faljen e zotit Joyce dhe se ai e kuptonte që “marrëdhëniet ndryshojnë me kalimin e kohës”. Nuk është hera e parë që zëvëndëkryeministri australian përfshihet në polemika.
Në vitin 2018, ai dha dorëheqjen si lider i Partisë Kombëtare të Australisë që ishte një partner i vogël i qeverisë, pas një sage të dëmshme politikisht që filloi me lidhjen e tij me një ish-punonjëse. Joyce bëri bujë në vitin 2015 pasi foli për karantinimin e qeverisë australiane dhe kërkimin e largimit ose shfarosjes së mundshme të qenve të sjellë në Australi nga yjet e Hollivudit Johnny Depp dhe Amber Heard. / abcnews.al


