A. C, 60 vjeç, u paraqit në spitalin Amerikan 3, në gjendje të rëndë shëndetësore nga probleme të zemrës. Mbas vizitës paraprake, ekipi i kardiologjisë vendosi se kirurgjia e hapur ishte me rrezik të lartë, për shkak të karakteristikave të pacientit, ndërsa ndërhyrja perkutane me risk më të ulët dhe më përfitime të njëjta.
Bazuar në këtë situatë ekipi vendosi të aplikohet ndërhyrja TAVI, si alternative më e përshtatshme për shpëtimin e jetës së pacientit.
“Telefonova fëmijët dhe të afërmit dhe zgjodhën rrugën më të mirë dhe e bëmë me teknikën e re. Është e shkëlqyer, unë nuk kam ndjerë asnjë dhimbje. Doktorët kanë bërë punën e tyre, jam shumë i kënaqur, zoti i bekoftë”, ka thënë 60 vjeçari.
Ndërhyrja TAVI (Transcatheter Aortic Valve Implantation), është një ndërhyrje ku aorta arrihet përmes arteries që ndodhet në rrëzë të kofshës ose nga një tjetër enë gjaku në trup, pa kryer ndonjë prerje dhe në këtë mënyrë kjo pasohet nga anulimi i valvulës së vjetër dhe implantimi i një valvule të re brenda saj.
Mjeku thotë se pacientët nuk ndjejnë dhimbje, dhe se faza e rikuperimit është më e shpejtë.
“Kjo procedurë është një procedurë e realizuar për herë të parë në Shqipëri dhe në vendet e rajonit. Kjo procedurë quhet TAVI që do të thotë, zëvendësim i aortës përmes rrugëve aksesore kryesisht përdoret enët e këmbëve dhe risku është shumë më i ulët se kirurgjia e hapur. Në këtë rast pjesa post operatore është shumë më e lehtë dhe pacienti për 24 orë mund të ngrihet në këmbë dhe në spital mund të rrijë vetëm 3-4 ditë. Procedura që bëmë ne është më specifike se vendosja e valvulës për herë të parë. Pasi kjo është vendosja e valvulës në një valvul të zëvendësuar me operacion të hapur dhe realisht dhe në vendet më të zhvilluara specialistët që e kryejnë si procedurë janë me gishta, nuk janë në një nivel rutinore”, ka thënë Jata.
Kjo ndërhyrje kryhet për herë të parë në Shqipëri nga ekipi i Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë në Spitalin Amerikan 3, i përbërë nga Dr. Bekim Jata, Shef i Departamentit të Kardiologjisë në Spitalin Amerikan 3, Dr. Artan Jahollari, kirurg kardio-vaskular, Dr. Indrit Temali kardiolog, Dr. Diamant Lulaj kardilog dhe Dr. Gentian Huti, anestezist-reanimator./abcnews.al