Zëri i zhurmshëm i koncesioneve shqiptare

schedule15:30 - 8 Dhjetor, 2021

schedule 15:30 - 8 Dhjetor, 2021

Nga Adi Darsi

Historia nis që më 1885, kur Mustafa Pashë Vlora kërkonte nga osmanët një koncesion për të lidhur me 2 kilometra shina ‘kasabanë’ me Portin e Vlorës. Nga ajo kohë, kur gjyshi i Eqerem Beut hidhte këtë ide në tentativë, kanë kaluar më shumë se 135 vjet. Koncesionet shqiptare gradualisht u bënë një fushë e gjerë përplasjesh politike, diplomatike dhe ekonomike. Për të mbërritur në ditët e sotme kur ata janë veç të tjerave, edhe një nga zërat më të zhurmshëm të buxhetit të shtetit.

Shtatë në radhë

Në 2022 listës së gjatë të koncesioneve të dhëna nga qeveritë pritet ti shtohen edhe shtatë emra të tjerë. Sipas relacionit të buxhetit të vitit që vjen ndërtimi i infrastrukturës dhe shërbimet e saj do të plotësohen edhe me shtatë kontrata të reja të cilat në totalin e tyre përgjatë gjithë kohës së operimit do marrin nga buxheti i shtetit rreth 214.5 miliardë lekë. Fjala është për ndërtime rrugësh, portesh dhe aeroportesh.

Kontratra më e kushtueshme do të jetë ajo e koncesionit për ndërtimin e rrugës Milot-Fier, pjesë e Autostradës Adriatiko Joniane. Vlera e saj është parashikuar 182.2 miliard lekë. Me rreth 20.3 miliard lekë planifikohet të jepet me koncesion edhe kolaudimi i automjeteve, ndërkohë që në shuma më pak se 5 miliard lekë janë në listë koncesionet e sigurisë rrugore, porti “Triport Vlorë” dhe aeroporti i Sarandës.

Sipas burimeve zyrtare të ministrisë së financave dhe ekonomisë kjo ministri vetëm sa ka bërë planifikimet financiare dhe nuk ka të dhëna të tjera për koncesionet. Në relacionin e buxhetit të vitit 2022 thuhet “Ministria e Financave vlerëson dhe miraton paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të partneritetit publik privat (PPP), si edhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale”.

Si rregull termat për këto koncesione, si afatet dhe vlerat ashtu edhe procedurat e tenderimeve ndiqen nga ministria e infrastrukturës dhe energjisë, si ministri e linjës. Në faqen e kësaj ministrie nuk asnjë të dhënë për to.

Hapësirat për financim

Sipas relacionit të buxhetit të vitit që vjen, përgjatë këtij viti është paguar nga paratë publike për 12 kontrata koncesioni nga 13 që janë aktive. Vitin që vjen planifikohen pagesa për 11 të tilla, pasi nuk parashikohet financim për icerenatorin e Elbasanit. Nëse rezultojnë të sukseshme edhe planet për 7 koncesionet e reja, buxhetit do ti duhet të mbajë 18 kontrata koncensionare.

A ka hapësira që të ndodhë kjo? Ministria e Financave thotë po! Argumentimi që bëhet është I bazuar në një rregull ligjor sipas të cilit: “Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.

Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore”.

Sipas përllogaritjeve që kanë bërë ekspertët e financave “Për vitin 2022, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat konçesionare/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2021, është rreth 22.95 miliardë lekë. Për vitin 2022 pagesat vjetore neto që parashikohen të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare apo PPP, kapin vlerën rreth 13.82 miliardë lekë. Rrjedhimisht, në buxhetin 2022 është respektuar kufizimin ligjor i sipërcituar në zbatim të rregullit fiskal respektiv”. Pra shtigjet janë të hapura.

Shumë emra, pak transparencë

Sipas të dhënave zyrtare të ministrisë së financave, në Shqipëri aktualisht janë aktive 225 koncesione të dhëna për 187 subjekte private. Prej tyre, pjesa më e madhe janë hidrocentralet e vegjël, për të cilët sipas ministrisë së financave, janë në fuqi 185 kontrata koncesionare të zotëruara nga 147 subjekte biznesi.

Pjesa tjetër: 40 koncesione të lidhura me 40 subjekte private përbëjnë koncesionet e shërbimeve, më i hershmi ndër to është prodhimi dhe shpërndarja e pasaportave dhe ID, koncesione në arsim për ndërtim shkollash, në bujqësi e mjedis ku spikasin koncesionet për mbetjet urbane, në shëndetësi (katër të tillë), në transport me 16 koncesione duke nisur nga Aeroporti i Rinasit, në dogana dhe në fushën e zhvillimit ekonomik.

Kësaj shifre duhet ti shtohen edhe shtatë koncesionet e planifikuara për 2022, duke e cuar në total numrin në 232 koncesione për të cilat janë lidhur ose pritet të lidhen kontratat me 194 subjekte private. Të gjitha gjenden të regjistruara në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve, Atrako.

Por web faqja e këtij enti publik, http://atrako.gov.al me mënyrën si është ndërtuar dhe me të dhënat që ofron duhet marrë si shembull se si mungesa në transparencës mbulohet në emrin e vetë transparencës.

Por monitorimin e kontratave më të shumta koncensionare, ata të hidrocentraleve e bën një tjetër agjenci, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, AKBN. Në qershor të vitit 2020, në faqen e saj http://www.akbn.gov.al/regjistri-i-licencave-aktive-per-shoqerite-koncesionare-te-hec-eve/ janë të publikuara si kontrata aktive në këtë fushë 252 të tilla për një numër shumë më të madh HEC-esh. Janë 67 kontrata më shumë, se sa ka të regjistruara në Atrako!

“Harresa e madhe” në listën e buxhetit

Koncesionet në kuptimin klasik të tyre janë leje shfrytëzimi apo kontratë për një shërbim të caktuar. Këto të dytat, pra kontratat e shërbimeve dhe kryerjes së punëve publike ndryshe i gjejmë edhe me emrin tashmë të mirënjohura PPP (partnertitet publik privat). Por në listën e publikuar në relacionin e buxhetit të vitit 2022, përveç hidrocentraleve, nuk janë të përfshira të gjithë kontratat e tjera të cilat janë dhënë për shfrytëzimin e burimeve natyrore.

Koncensionet në sektorin e naftës, të kromit, bakrit dhe burimeve të tjera natyrore (ndoshta ngaqë njihet thjeshtë me emrin leje shfrytëzimi!) nuk përfshihen por llogariten rëndom si të gjithë bizneset e tjera, kur në fakt nuk janë të tilla.

Të dhënat për numrin e tyre i gjejmë tek http://www.akbn.gov.al në publikimet e një viti më parë, kur edhe janë përditësimet e fundit. Përveç 7 kompanive që shfrytëzojnë fushat e naftës, në vend operohet për shfrytëzimin e kromit, bakrit mineraleve të tjera e deri tek argjilat e gurët gëlqerorë, me plot 571 leje të dhëna nga shteti, ku kromi ka pjesën më të madhe.

Koncensioni më i vjetër i dhënë ndonjëherë në Shqipëri, me ferman nga Sulltani që në vitin 1830, tashmë shfrytëzohet nga së paku 6 subjekte. Si për të thënë se gjithçka është bërë copë-copë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!