Zëri i Amerikës: Paragjykimet e shoqërisë, ndëshkim i dytë për gratë dhe vajzat e përdhunuara

schedule22:02 - 4 Shtator, 2022

schedule 22:02 - 4 Shtator, 2022

Patriarkalizmi, mungesa e llogaridhënies dhe paragjykimet janë disa prej arsyeve që i bën të mbijetuarat të druajnë të denoncojnë përdhunuesit. Këtë vlerësim e dhanë për Zërin e Amerikës disa eksperte të intervistuara me shkas nga jo pak komente ofenduese dhe nxitëse që u publikuan në rrjete sociale pasi u bë publik lajmi për përdhunimin e një 11 vjeçareje në Prishtinë. Gazetari i Zërit të Amerikës, Artan Haraqija ka biseduar me një hulumtuese nga “Human Rights Watch” në Londër dhe me pedagoge të dy universiteteve në Nju Jork të cilat kanë thënë se ndonëse përdhunimet fatkeqësisht ndodhin në gjithë botën, ajo që e bën dallimin nga njëri shtet tek tjetri është frika nga paragjykimet e shoqërisë që këto krime jo rrallë herë mbesin të heshtura.

Pas përdhunimit të të miturës 11 vjeçare nga një grup prej 5 të rinjsh në Prishtinë, në rrjetet sociale u vunë re komente të shumta, një pjesë të papërshtatshme për t’u publikuar, ku fajësohej vetë viktima.

Për të analizuar këtë fenomen Zëri i Amerikës ka biseduar me një sërë ekspertesh.

Fatkeqësisht shohim që fajësimi i grave ndodh shumë shpesh… Pra, në njëfarë mënyre faji i hidhet asaj për përdhunimin, hulumtuese e lartë për çështjet e grave tek organizata “Human Rights Watch në Londër

Për dy ekspertet tjera, rrënja e problemit është tek patriarkalizmi, apo siç thotë profesore Anila Duro, ideja se burrat janë pronari i trupit të grave dhe fatkeqësisht pranimi i këtij pretendimi edhe nga një pjesë e grave.

“Pra me fjalë të tjera, gratë janë objekte, e meritojnë, gratë e duan këtë. …Kjo është edhe ajo që e nxiti rastin e vajzës në Kosovë. Për këtë ne duhet të shkojmë tek rrënja e problemit dhe ajo është patriarkalizmi , kur mendon se burrat mund të bëjnë çfarë të duan me trupin të gruas”, thotë Profesorja e Drejtësisë, Shkencës së Policisë dhe Departamentit të Administratës së Drejtësisë Penale tek kolegji “John Jay”, Anila Duro.

Ndërkaq profesorja e asociuar tek universiteti “Columbia” Tanya Domi mendon që “në shoqëritë, që janë veçanërisht patriarkale, fatkeqësisht fajësimi i gruas përhapet edhe më shumë nga interneti. Aty shohim shumë bulizëm ndaj grave.”

Zonja Margoles thotë se 1 në 3 gra dhe vajza në botë, gjatë jetës së tyre përjetojnë një formë dhune. Ajo që e bën dallim nga shteti në shtet është nëse gratë dhe vajzat besojnë tek raportimi dhe reagimi i shoqërisë ndaj dhunës së ushtruar.

“Ajo që e bën dallimin nëse një e mbijetuar vendos ta bëj publik dhe ta raportojë rastin është se si ato mendojnë që do të reagojnë njerëzit?”, thotë ajo.

“A do t’ju besojnë atyre, apo do t’i fajësojnë ato si në rastin që përmendët edhe ju në Kosovë.”

Hulumtuesja nga Human Rights Watch thotë se “disa nga rastet mund të ndikohen edhe nga faktorë të tjerë, si ndikimi fetar, apo kulturor i shoqërisë, se si e trajton dhunën, në veçanti atë seksuale ndaj grave. Nëse gratë shihen nga shoqëria si me më pak vlerë, ose nëse nga ato pritet që ta kontrollojnë seksualitetin e tyre, në ndryshim nga pritshmëria për burrat.”

Ndërkaq, profesore Anila Duro vlerëson se “Dhuna në Kosovë, Shqipëri dhe kudo është më e përhapur se sa shifrat zyrtare pasi jo të gjitha rastet raportohen.”. Ajo e kujton kur vitin e kaluar e ka bërë një studim mbi dhunën në familje me gratë shqiptare në Amerikë, “ato me flisnin edhe për raste përdhunimesh, pa i pyetur unë për këtë. Sa e sa herë gratë përdhunohen nga bashkëshortët e tyre, sepse ata nuk janë të vetëdijshëm se bashkëshortet duhet të pajtohen për marrëdhënien. Ata janë rritur në mënyrë që kur unë them se dua të kryejë marrëdhënie intime, ti duhet të ma plotësosh dëshirën.

Hezitimi i grave dhe vajzave në Kosovë që të denoncojnë rastet e përdhunimeve, sipas profesores amerikane Tanya Domi, konfirmohet me rastin e grave të dhunuara gjatë luftës. Në vitin 2013, kur u hap ky debat, diskutimet e mbajtura në parlamentin e Kosovës u konsideruan si ofenduese për viktimat.

“Nuk mund të keqkuptohet situata në Kosovë ku kanë ndodhur mbi 20 mijë përdhunime gjatë luftës dhe pothuajse askush nuk ka dalë të flasë për këtë. Ishte në fakt vetëm Vasfije Goodman e cila tani është shtetase amerikane, si gruaja e vetme që ka folur për rastin e saj publikisht”, thotë profesorja Domi.

Ajo e vlerëson rolin e presidentes aktuale, Vjosa Osmani e sidomos presidentes së parë grua të Kosovës, Atifete Jahjaga e cila i dha shtytje të madhe debatit për të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë.

Më 12 qershor 2015, Presidentja Jahjaga, dhuroi një nga fustanet e saj për instalacionin e artit në stadiumin e Prishtinës duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare për stigmën që përjetojnë në Kosovë viktimat e përdhunimeve gjatë luftës.

“Paqja jonë kurrë nuk do të jetë e plotë pa paqen e tyre” tha ish presidentja Jahjaga në atë ngjarje.

Por, përtej identifikimit të problemit, çfarë duhet bërë për ta trajtuar atë?

Para karrieres akademike, profesorja Tanya Domi ka qenë pjesë e ushtrisë amerikane. E dërguar me mision në Honolulu të Hawait, ajo ka punuar në Qendrën e Abuzimeve Seksuale si police ushtarake. Sipas saj, ajo që duhet të ndryshojë në vendet ku ka dhunë ndaj grave duhet filluar nga edukimi i autoriteteve që do merren me këto raste.

“Kur punon me një viktimë torture dhe përdhunimi është torturë, ti duhet të dish se si t’i intervistosh viktimat dhe të mos t’i traumatizosh më shumë ato. Që nga polici e deri te personeli spitalor, të gjithë duhet të specializohen. Ekziston një proces i mbledhjes së dëshmive që ato të dërgohen në gjykatë dhe të ndiqet penalisht rasti. Të gjithë të përfshirët, gjyqtarët, edhe prokurorët dhe stafi i atyre që merren me viktimat e dhunës seksuale duhet të kenë trajnim special”, thotë për Zërin e Amerikës, profesorja Tanya Domi.

Përpos hezitimit për të denoncuar, veprimtarët e shoqërisë civile ankohen se edhe kur shkojnë për gjykim, abuzuesit marrin dënime të lehta.

Për këtë flet hulumtuesja për çështjet e grave tek“Human Rights Watch”, Hillary Margoles

“Llogaridhënia padyshim ka ndikim dhe kjo ka të bëjë me të gjitha nivelet… Kur gratë dhe vajzat e shohin se rastet e ndjekjes penale të abuzuesve janë të ulëta si për përdhunimet apo sulmet e tjera seksuale, kur shohin se si autorët marrin dënime shumë të vogla apo nuk dënohen fare, është shumë më pak e mundshme që ato të jenë të gatshme të denoncojnë rastet e tyre dhe të kërkojnë drejtësi”.

Për profesoren Anila Duro, një nga arsyet që e shkakton dhe e bën të pamundur zgjidhjen e problemit është trajtimi i seksualitetit në shoqërinë shqiptare si një temë tabu.

“Burrat shqiptarë nuk janë aq shumë më të ndryshëm se burrat tjerë, por burrat shqiptarë nuk janë mësuar se si të kenë marrëdhënie të shëndosha seksuale. Nuk iu është folur për seksualitetin njerëzor. Një nga të mbijetuarat e dhunës seksuale më ka thënë se i ka treguar të ëmës shqiptare se si e ka përdhunuar i ati dhe nëna i ka mbyllur veshët. Ajo nuk deshi as ta dëgjonte, pse… ne duhet ta bëjmë këtë pyetje”, thotë profesorja Anila Duro

Për ekspertet e intervistuara nga Zëri i Amerikës, komentet negative në internet kryesisht vënë në shënjestër gratë që sillen të lira dhe me besim në vetvete, kundrejt rolit që asaj ia përcakton një shoqëri patriarkale. Në shënjestër më së shpeshti vihen këngëtaret.

Për profesoren e Universitetit “Columbia” në Nju Jork, Tanya Domi, “Është vërtetë e paturpshme. Kur mendoj për këngëtarët e Kosovës më shkon mendja te Dua Lipa dhe disa nga këngëtaret më në zë në botë, që Kosova është shumë krenare me to. Të ofendosh dikë si Dua Lipa, apo këngëtare të tjera, është thjeshtë mizore dhe e papranueshme.”

Ndërsa zonja Margoles nga “Human Rights Watch thotë: “Askush nuk e meriton që të sulmohet seksualisht. Nuk është me rëndësi se çfarë kanë veshur, apo se në çfarë ore kanë dalë jashtë shtëpisë. Askush nuk e meriton këtë. Besoj se kjo ka filluar të pranohet më shumë, por fatkeqësisht ka ende një rrugë shumë të gjatë për të bërë.

“Fshehja e grave, veshja e grave në një formë të caktuar, mbajtja e grave në shtëpi sepse ne jemi cak me vlerë për kriminelët nuk do t’ia arrijë që të parandalojë këtë krim. Arsimimi është arma jonë, edukata seksuale në kulturën tonë, kur e kupton seksualitetin e njerëzimit është një gjë tejet e nevojshme në kulturën shqiptare e ne as që flasim për këtë” tha për Zërin e Amerikës, profesorja Anila Duro.

Por, kjo e fundit thotë se aktivistët dhe ata që e studiojnë këtë çështje nuk duhet të merren me njerëzit që bëjnë akuza në internet.

“Shqetësimi im nuk është publiku i përgjithshëm. Shqetësimi im janë njerëzit që kanë pushtet, që janë seksistë, që janë homofobë dhe janë në pozita pushteti e që duhet të zbatojnë ligjin. Dhe shfrytëzojnë lirinë e veprimit të tyre për të dëmtuar viktimat dhe të mbijetuarit.”

Ekspertet thonë se çështja e dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave dhe arsyet pse ato abuzohen pasi guxojnë ta denoncojnë dhunën meriton studim të mëtejshëm, më shumë aktivizëm duke u dhënë përkrahje më të madhe familjeve të viktimave./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!