Zemra nuk fal/ Vetëm pak minuta për të shpëtuar nga arrestet kardiake

schedule15:40 - 24 Shtator, 2024

schedule 15:40 - 24 Shtator, 2024

Problemet e zemrës janë baza e piramidës së sëmundshmërisë. Një në tre persona vuan prej tyre ndërkohë që përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve në vend.  Në kushtet e një arresti kardiak sipas mjekëve duhet fituar beteja me kohën.

“Në një moment kur personi shkon në arrest kardiak qelizat cerebrale kanë një rezistencë 4 deri në 6 minuta. 6 deri 10 minuta ajo dëmtohet dhe pas 10 minutash dëmtimet e qelizës cerebrale bëhen të pakthyeshme. Domethënë që një person edhe pas 10  minutash, 20 minutash mund të kthehet në jetë, por nuk do të zgjohet ndonjëherë.  Si e evitojmë këtë? Masazh kardiak, shtypje gjoksi”.

Veprim që sipas drejtorit të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore në pritje të autoambulancës  mund të bëjë dhe një person në vendngjarje.

 “Gjeja e pare qe duhet të bejne te marrin 127, jo vetem per çuar nje ekip,  por dhe për te treguar çfarë duhet te beje derisa ekipi te shkoje. Nese ai qe eshte ne vendngjarje nis bën masazhin kardiak ndalon kohen”.

Përmes pajisjeve të tilla si kjo e  vendosur në një aeroport në Shtetet e Bashkuara Shoqata Amerikane e Zemrës  përhap kulturën  e dhënies së ndihmës para se ngjarja të ndodhë. Mësime  të tilla  sipas doktor  Skënder Bratajt edhe në vendin tonë  duhet të nisin që në shkollë.

“Standardet jane nderkombetare e te percillen njesoj kudo. Duhet qe kultura, ndihma e pare te jete ne tekstet shkollore kjo është e padiskutueshme”.

Ndërkohë në shumë qytete europiane pajisjet  për një goditje elektrike janë vendosur në vende me fluks të lartë njerëzish. Shembull Drejtor i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore Skënder Brataj  merr Torinon , por që i njejti model të aplikohet dhe në vendin tonë kërkohen ndërhyrje ligjore.

“Në Torino e kishim në çdo stacion metroje, stadium, supermarket të madh, hotel me shumë dhoma,  biznese me numër të caktuar punonjësish. Detyrim ligjor ishte dhe pasja e një personi të trajnuar për dhënien e ndihmës së parë. Ka nevojë për ndryshime ligjore se dikush po nuk është i detyruar nuk e bën”.

Ndërkohë një projekt pilot në vendin tonë  është aplikuar në Vlorë. Në pika  kryesore të qytetit, qendër, lungo mare,  bashki, komisariatin e policisë,  port, stadium e pallat sporti  janë instaluar defibrilatorë.

“A mjafton? Sigurisht jo, duhet shtrire në çdo skaj…”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!