Presidenti ukrainas Volodymyr Zelesnky ka bërë thirrje që rusët të tërhiqen nga territori i termocentralit bërthamor në Zaporizhzhia.
Në video-mesazhin e tij të përditshëm, Zelensky tha se ushtria ruse “duhet të tërhiqet nga territori i termocentralit bërthamor dhe të gjitha zonat fqinje dhe të heqë pajisjet e saj ushtarake nga termocentrali”.
“Kjo duhet të ndodhë pa asnjë kusht dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Ukraina është e gatshme të sigurojë kontrollin e duhur nga IAEA (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike) dhe misioni përkatës mund të dërgohet në centralin e Zaporizhzhia në mënyrë të ligjshme, shumë shpejt dhe sa më efikase”, tha ai.
Ai shtoi se “diplomatët ukrainas, shkencëtarët tanë bërthamorë dhe IAEA janë në kontakt të vazhdueshëm” dhe po punojnë për “dërgimin e misionit të IAEA në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia”.
Kujtojmë se Zelensky do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres të enjten në qytetin ukrainas të Lviv.
Në fjalimin e tij, Zelensky iu referua edhe situatës aktuale në vijat e frontit në rajonet Donetsk dhe Kharkiv, duke thënë: “Zona Avdiivka, zona Bakhmut, rajoni i Kharkiv dhe disa rajone të tjera janë zonat ku po zhvillohen luftimet më të vështira tani. ”
Ushtria ukrainase pranoi të mërkurën se forcat ruse kishin “sukses të pjesshëm” në avancimin në disa pjesë të frontit në perëndim të qytetit Donetsk. /abcnews.al/