Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi të martën se ai po vizitonte trupat ushtarake në vijën e frontit.
Ai nuk dha detaje specifike mbi vendndodhjen, por postoi në rrjetin social ‘Telegram’ një seri fotosh me në krah ushtarakë ukrainas.
“Mbrojtësit tanë në vijën e parë. Sot jam këtu për të uruar luftëtarët tanë për Ditën e Marinsave ukrainas”, shkruante zoti Zelenskyy.
Në një deklaratë të presidencës thuhej se zoti Zelenskyy ishte takuar me trupat ukrainase në qytetet Vugledar dhe Maryinka, në rajonin e Donetskut.
Udhëheqësi ukrainas ka zhvilluar disa vizita në vijën e parë të frontit që kur Rusia nisi sulmin në shkallë të gjerë në shkurt të vitit të kaluar. Javët e fundit, ai ka kyer disa udhëtime ndërkombëtare me synimin për të garantuar armative të reja për Ukrainën si dhe bindur aleatët të dërgojnë avionë luftarakë të avancuar F16.
Të hënën Sekretari amerikan i Forcave Ajrore Frank Kendall tha se “në rastin më të mirë do të duhen disa muaj” për të vendosur mbi furnizimin e Ukrainës me avionë F-16.
Gjatë një bisede me gazetarët zoti Kendall tha se këta avionë “do t’u japin ukrainasve një aftësi të përkohshme, të cilën ata nuk e kanë aktualisht, por pa sjellë një ndryshim dramatik në fushëbetejë”.
Sipas Sekretarit Kendall “fuqia ajrore nuk ka qenë deri më tani një faktor vendimtar” në luftë, ndërsa përmendi nga ana tjetër efektivitetin e sistemeve të mbrojtjes ajrore me bazë tokësore./VOA