Zelensky: Rusia po planifikon provokime të rrezikshme në centralin bërthamor

schedule16:07 - 5 Korrik, 2023

schedule 16:07 - 5 Korrik, 2023

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia po planifikon “provokime të rrezikshme” në centralin bërthamor në Zaporizhja.

Zelensky, pas një telefonate me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, tha se trupat ruse që kanë pushtuar uzinën në territorin e kontrolluar nga Rusia në Ukrainën jugore, po përgatisin provokime.

Sipas presidentit ukrainas, ai dhe Macron ranë dakord të mbajnë situatën nën kontroll së bashku me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Deklarata e tij erdhi pasi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se Rusia mund të përgatitet për një provokim “në të ardhmen e afërt” në territorin e centralit, i cili është hequr nga linja, por ende kërkon energji elektrike dhe ujë për t’i ftohur gjashtë reaktorët e saj.

“Sipas informacionit operacional, objekte të huaja të ngjashme me mjetet shpërthyese u vendosën në çatinë e jashtme të njësive të tretë dhe të katërt të energjisë të centralit bërthamor Zaporizhja”, tha Shtabi i Përgjithshëm.

Në njoftim u tha se forcat e armatosura të Ukrainës “nuk shkelin normat e së drejtës ndërkombëtare humanitare, monitorojnë dhe kontrollojnë situatën dhe janë të gatshme të veprojnë në çdo kusht”.

Në anën tjetër, Moska më 4 korrik akuzoi Kievin në lidhje me përgatitjet e supozuara për një incident në këtë uzinë.

Një këshilltar i agjencisë bërthamore të Rusisë, Rosatom, Renat Karchaa, tha në televizionin shtetëror rus se Moska ka marrë informacione se natën e 5 korrikut “ushtria ukrainase do të përpiqet të sulmojë centralin bërthamor të Zaporizhjas”.

Ai pretendoi se Ukraina planifikoi të përdorte “armë me precizion të lartë, me rreze të gjatë” si dhe drone.

Radio Evropa e Lirë ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e bëra nga dyja palët.

Frika për rreziqet e sigurisë për centralin bërthamor ka qenë konstante që nga fillimi i pushtimit rus.

Të dy palët kanë akuzuar rregullisht njëra-tjetrën se kanë vënë në rrezik sigurinë e uzinës./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!