Në një video-mesazh për të shënuar katërvjetorin e fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Zelensky ka shfaqur zyrën e tij në bunkerin presidencial, ku ai dhe ekipi i tij vepruan gjatë ditëve të para të luftës.
Zelensky ka thënë se ndodhej pikërisht në një dhomë të vogël në bunker momentin kur ai kishte hedhur poshtë sugjerimin e ish-presidentit amerikan, Joe Biden, për t’u larguar nga Kievi, duke iu përgjigjur se kishte nevojë për “armë, jo për një udhëtim.”
Zelensky ka thënë po ashtu se është hera e parë që publiku e sheh këtë objekt.
“Tani është bosh, sigurisht, por në fillim të luftës këtu kishte qindra njerëz”, ka treguar ai.
Lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e saj të pestë, teksa pavarësisht bisedimeve që po vazhdojnë të zhvillohen mes palëve ndërluftuese, nuk ka ende shenja që tregojnë se përfundimi i saj është afër.


