Zelensky për protestat në Gjeorgji: Ne duam një sukses demokratik

schedule23:52 - 8 Mars, 2023

schedule 23:52 - 8 Mars, 2023

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se dëshiron një “sukses demokratik” në Gjeorgji, ku mijëra protestues kanë dalë në rrugët e kryeqytetit të vendit kundër një projektligji të diskutueshëm për “agjentët e huaj”, që kritikët thonë se sinjalizon një ndryshim drejt autoritarizmit në vend.

“Nuk ka asnjë ukrainas që nuk i dëshiron sukses mikut tonë Gjeorgjisë. Një sukses i demokracisë. Një sukses evropian”, theksoi Zelensky. “Të gjitha kombet e lira në Evropë meritojnë të jenë anëtarë të Bashkimit Evropian,” argumentoi ai ndërsa Kievi dhe Tbilisi aspirojnë të anëtarësohen në BE.

Protestat masive, si dhe incidente të dhunshme, janë zhvilluar në Gjeorgji pasi Parlamenti miratoi një projektligj për “agjentët e huaj” të martën. Të paktën 66 persona u arrestuan mbrëmjen e së martës gjatë protestave. Kritikët druhen se ky ligj është një mënyrë e qeverisë për të goditur zërat kundërshtarë.

Legjislacioni i propozuar parashikon që organizata të tilla si mediat mund të klasifikohen si “agjentë të huaj” nëse marrin më shumë se 20 për qind të financimit të tyre nga jashtë.
Kritikët kanë vënë në dukje një ligj të ngjashëm të miratuar në Rusi, ku të gjitha organizatat ose individët që marrin mbështetje financiare nga jashtë, ose nën një formë të “ndikimit të huaj”, shpallen “agjentë të huaj”./abcnews.al