Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përshëndeti vendimin e Komisionit Evropian për të mos zgjatur ndalimin e importeve të grurit ukrainas dhe e quajti atë një shembull të unitetit dhe besimit të vërtetë.
Ndërsa Polonia, Sllovakia dhe Hungaria njoftuan menjëherë se do të vendosnin ndalime në mënyrë të njëanshme, Zelensky siguroi se nëse vendet në kufi me Ukrainën shkelin ligjin evropian, Kievi “do të përgjigjet në mënyrë civile”.
“Tani është e rëndësishme që uniteti evropian të funksionojë edhe në nivel dypalësh. Kështu që fqinjët të mbështesin Ukrainën në këtë luftë”, tha ai në një postim në aplikacionin Telegram pas bisedimeve me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Pak më herët, Hungaria njoftoi se jo vetëm do ta shtrijë embargon, por do ta shtrijë atë edhe në produkte të tjera përveç drithit. “Hungaria do të mbyllë kufijtë e saj për produkte ukrainase për të mbrojtur interesat e fermerëve të saj”, shkroi në Facebook Ministri i Bujqësisë Istvan Nagy.
Në fund të prillit, Brukseli arriti një marrëveshje me pesë vende, Poloninë, Hungarinë, Sllovakinë, Bullgarinë dhe Rumaninë, duke i lejuar ata të ndalojnë importin e katër produkteve ukrainase, me kusht që të mos bllokojnë tranzitin e tyre drejt vendeve të tjera.
Në mëngjes, kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili mban marrëdhënie të tensionuara me Kievin, pretendoi se vendi i tij ishte “mashtruar”. “Në fund të fundit, ne e nxjerrim drithin nga Ukraina, por ai nuk arrin në Afrikë. Fëmijët e varfër të Afrikës nuk mund të marrin asnjë kilogram bukë. Është një mashtrim!” tha ai në një intervistë në radio ndërsa ministri i jashtëm Peter Szijardo denoncoi një “propagandë gënjeshtrash nga Brukseli dhe Kievi”
Vendimi për zgjatjen e njëanshme të embargos u mor edhe nga Polonia dhe Sllovakia. “Ne nuk pajtohemi me vendimin e Komisionit dhe në interes të fermerëve dhe konsumatorëve polakë ne po marrim masa kombëtare,” tha zëdhënësi i qeverisë polake Piotr Miller për agjencinë e lajmeve PAP.
Sllovakia gjithashtu do të vazhdojë të ndalojë importet e produkteve ukrainase pas mesnatës së natës së sotme, njoftoi kanali televiziv lokal Markiza, duke cituar ministrin e Bujqësisë Jozef Bires.