Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka ftuar Kanadanë të udhëheqë një përpjekje për të pastruar vendin e tij nga minat tokësore pas pushtimit rus që filloi shtatë muaj më parë. Kanadaja ka udhëhequr fushata globale për ndalimin e minave tokësore që nga vitet 1990. Kjo përpjekje ishte e rëndësishme në Marrëveshjen e Otavës të vitit 1999, e nënshkruar nga 133 vende, për të nxjerrë jashtë ligjit përdorimin e minave tokësore.
Zelensky foli në një video-mesazh pas një bisede me kryeministrin Justin Trudeau, duke thënë se Kanadaja ka teknologjinë e duhur dhe ambiciet e duhura njerëzore për të ndihmuar.
“E ftova kryeministrin Trudeau të udhëheqë përpjekjet globale për të pastruar tokat tona nga minat dhe municionet e pashpërthyera ruse. Si pasojë e luftës ruse, rajoni i Ukrainës ka një nga përqendrimet më të mëdha të minave në botë”, theksoi Zelensky.
“Ne duhet të bëjmë diçka që nuk është bërë kurrë më parë: duhet të krijojmë një precedent të çminimit fleksibël dhe në shkallë të gjerë dhe të mos e lëmë problemin të qëndrojë për dekada”, tha ai, duke falënderuar Kanadanë për gatishmërinë e saj për të ndihmuar.
Një transkript i bisedës nga zyra e Trudeau nuk përmbante asnjë përmendje të propozimit të Zelensky. SHBA, Rusia, Kina dhe India nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Otavës. /abcnews.al