Zelenski ofertë Putinit: Të diskutojmë kujt i takon Krimea

schedule23:59 - 8 Korrik, 2019

schedule 23:59 - 8 Korrik, 2019

Sikurse kishte paralajmëruar, presidenti i ri i Ukrainës i ka bërë një ofertë për dialog homologut rus Putin. Volodimir Zelenskij ka deklaruar se është e nevojshme që palët të diskutojnë në lidhje me përkatësinë e Krimesë, në një proces ku të jetë i përfshirë edhe faktori ndërkombëtar.

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenskij deklaroi të hënën se është gati të takohet me liderin rus Vladimir Putin në Minsk dhe të përfshihet me të në një proces bisedimesh ku të pranishme të jenë edhe Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca.

Marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Rusisë kanë qenë shumë të tendosura që nga aneksimi i gadishullit të Krimesë në vitin 2014 nga Moska dhe mbështetja që ajo u ofroi separatistëve në rajonin e Donbasit, në Ukrainë, konflikt që ka marrë 13 mijë jetë njerëzish.

Marrëveshja e armëpushimit e nënshkruar në vitin 2015 në kryeqytetin e Biellorusisë me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë ka patur sukses të kufizuar sa i takon dhënies fund të akteve luftarake.

“Tani dua t’i drejtohemi presidentit rus Vladimir Putin. Është e nevojshme të flasim, të diskutojmë se kujt i përket Kkrimea dhe çfarë po ndodh në rajonin e Donbasit”, deklaroi Zelenskij.

Nga ana e tij, Kremlini reagoi duke thënë se do ta shqyrtojë ofertën e presidentit ukrainas.

“Kjo është një iniciativë e re dhe sigurisht që do të merret në konsideratë”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Megjithatë, ai nënvizoi se më parë duhet të shihen shanset nëse një takim i tillë është i mundur dhe se në çfarë formati do të zhvillohet ai. Më herët para zgjedhjes president, Zelenskij kishte deklaruar se ishte i gatshëm të negocionte me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në lindje të Ukrainës, si dhe kishte shprehur vullnetin që Ukraina t’i bashkohet NATO-s dhe BE-së./ABC News Albania 24/7