Fitim Zekthi vlerëson se presidenti Ilir Meta ishte në mbrojtje të Kushtetutës gjatë mandatit të tij në krye të shtetit, duke iu referuar përplasjeve të tij me maxhorancën që solli edhe votimin për ta shkarkuar. Në studion e ABC Live, pedagogu i shkencave politike, thotë se pavarësisht teprimeve, Meta kishte rolin e tij për të mbrojtur Kushtetutën.
“Presidenti Ilir Meta ka qenë në mbrojtje të Kushtetutës, në gjykimin tim. Unë nuk dua një president me gjuhë të ashpër që bën shumë zhurmë, por ishte qartë në mbrojtje të Kushtetutës. Ne e pamë që po bëheshin emërime në Gjykatën Kushtetuese. Në këto 5 vite presidenti ka luajtur një rol në mbrojtje e Kushtetutës, ndonëse me teprime të mëdha”, tha ai.
Lexo edhe: Zekthi: Presidenti i ri s’do të jetë partiak, por do të mbrojë interesat e shumicës
Sikurse e ka deklaruar, Zekthi thotë se e ardhmja e Ilir Metës është në politikë. Sipas tij ai do të bashkëpunojë me Berishën, madje ky bashkëpunim ka nisur më herët. Zekthi shprehet se 6 marsi u dekretua për t’i shërbyer Berishës dhe e quan si njollë të presidentit.
“Meta do të jetë në politikë. Me stilin tij, por nuk besoj se është një njeri që mbron internat e shqiptarëve. E ardhmja e tij në politikë nuk do të jetë e mirë. Me Berishën do të bashkëpunojë. Ata bashkëpunuan edhe për zgjedhjet e 6 marsit. Për interesat e një partie u dekretua një datë zgjedhjesh. U pa se një grup brenda partisë tha se ne fituam. Kjo mund të jetë një njollë e errët, ajo u bë për ti shërbyer zotit Berisha, kjo mund të jetë pika më e keqe e Zotit Meta në këto 5 vite. Ato zgjedhje nuk u shndërruan në garë për tu shërbyer qytetarëve, por një garë brenda partisë”, u shpreh ai. g.v/abcnews.al