Ze Maria rrezikon në këtë derbi

schedule23:31 - 27 Shtator, 2018

schedule 23:31 - 27 Shtator, 2018

Derbi ndaj Partizanit do të jetë dyfish i rëndësishëm për Tiranën. Skuadra duhet të fitojë për tifozët dhe synimet e saj, ndërsa në rast humbjeje pritet të ketë pasoja në stafin teknik.

Vëmendja është tek kryesfida, por edhe tek fati i trajnerit.

Ze Maria nuk ka aspak pozita të sigurta tek Tirana, diçka që mund ta rrezikojë në rast humbjeje.

Burime brenda klubit kryeqytetas bëjnë me dijë se presidenti Halili mendoi ta shkarkonte teknikun që pas ndeshjes së javës së parë, të humbur 0-1 me Teutën në “Selman Stërmasi”.

Pavarësisht kostos së lartë financiare që do të kishte një shkarkim i tillë, numri 1 i klubit raportohet se e ka menduar, ndonëse më pas ka ndërruar mendje.

Vetë trajneri e përballoi me qetësi një pyetje të tillë, në konferencën për shtyp.

“Pozicioni im është gjithmonë i rrezikuar dhe kështu do të jetë edhe në këtë ndeshje. Pozicioni i trajnerit është gjithnjë në rrezik. Unë kujtoj se vitin e kaluar fituam 7 ndeshje, humbëm një dhe barazuam dy. Unë isha në rrezik atë kohë pavarësisht fitoreve, pra nuk ia vlen të shqetësohem për këtë”, tha Ze Maria.

Gjithsesi, tensionin duhet ta ketë të lartë pasi është përpara një derbi.

“Unë e dashuroj presionin. Në gjithë karrierën time kam qenë në presion. Kam luajtur shumë derbi në 22 vjet si futbollist dhe e di se çfarë është një derbi”, shprehet Ze Maria.

Si është Tirana në prag të këtij dueli?

“Atmosfera është e mirë, luajtëm mirë ndaj Skënderbeut dhe fituam ndeshjen e Kupës. Përsa i përket ndeshjes së radhës për ju është shumë e rëndësishme, por për mua është si gjithë të tjerat, një ndeshje e rëndësishme dhe normale për të fituar tre pikë”, tha Ze Maria./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!