E ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “E ardhmja është vajzë”, Irini Qirjako u ndal dhe tek rrugëtimi i saj artistik. Diva e muzikës popullore rrëfeu 42 vitet e saj në skenë, duke nisur nga fillimet e saj kur këndonte në një moshë fare të vogël. Ajo tregoi dhe një histori të veçantë që i kishte ndodhur vite më parë në Itali me këngëtarin italian Claudio Villa.
“Në një koncert në ’85 në Itali ka qenë këngëtari Claudio Villa dhe kur ne këndonim me Fiqirete Kapo, sa fillova të këndoja në mes të këngës kur vjen me vrap dhe hyn në skenë. Më preku fytin dhe më tha o zot janë zëra apo instrumente muzikore.”, u shpreh Irini.
Megjithatë, sfidat kanë qenë të shumta duke nisur nga fakti se i është dashur të qëndrojë për shumë kohë larg familjes. Ajo shprehu mirënjohjen për bashkëshortin e saj por dhe për vjehrrën e ndjerë për mbështetjen e dhënë përgjatë gjithë rrugëtimit të saj artistik.
“Që të jesh artist je i privuar më shumë nga mungesat e mëdha në familje, me ditë të tëra dhe 40 ditë kam munguar dhe i është dashur bashëkshortit të merret me gocën, vjehrrës që nuk jeton më, që është bërë heroinë për vajzën kur ka qenë e vogël. Ka punuar në çerdhe dhe fati i madh që sa lindi goca doli në pension. Mirënjohje vjehrrës atje ku është, kunatat që janë bërë copë dhe motra ime që i ka dhënë kaq shumë dashuri Riviolës time.”, u shpreh Irini./abcnews.al